"Rruga që edhe përpjekjet për ndershmëri duhet t'i kishte madhështore"
Euforia politike është diçka e rrezikshme në kohën tonë; pikërisht këtë përshtypje vizuale më nxiti historia e vizitës së 30 deputetëve në Kalimash, për të parë nga afër tunelet e mëdhenj të "krenarisë kombëtare". Mes shumë të tjerave, nuk e di ç'detaj me shtyu më tepër të bisedoj sot me ju zotërinj deputete, në këtë komunikim mediatik; Mbase respekti i mohuar prej jush për qytetaret shqiptarë!
30 e ca deputetë, ju u shfaqët në publik me fytyra të bardha, si kuaj të bardhë; 30 burra u mahnitët dhe mbetët gojëhapur përpara hapjes së tuneleve malore, (a thua nuk keni parë të tillë në kilometrat rrugëve evropiane ku keni shkelur). Pastaj e përcollët me profesionalitet emocionin tuaj në ekrane, sepse ju jeni deputetë me përvojë të gjatë publike, deputetë të rivotuar, çka i ka dhuruar personaliteteve tuaja një inerci të dobishme parlamentare. Natyrisht, e bëtë këtë me një përpjekje të virgjër për të yshtur shqiptarët të ndjejnë njëlloj si ju, krenarë, nacionalë e të befasuar. Dhe dita kaloi... Një raport i KLSH ditët në vijim, vërtetoi akuzat e kahershme të medias, por jo vetëm kaq. Ngriti një pikëpyetje të madhe mbi qëllimin e vizitës suaj në tunele? Mos vallë e dinit që ca orë pasi ju të na habisnit ekraneve, do dilte ky raport akuzues? Nëse është kështu, përfytyroni zoterinj deputetë se si mund të ndihen pas kësaj njerëzit që me zell të madh dhe me besim të madh ju kanë votuar, por jo vetëm ata. Ju bëni një abuzim të madh sepse, pikërisht aty ku hetohen fakte abuzimesh, ju mbani ison e këngës patriotike me të cilën duan të hedhin lumin hajdutët, kolegët tuaj. Së dyti, nëse ka pak naivitet në këtë histori, kjo vjen jo sepse ju nuk e kuptuat se në sytë e qytetarëve u dukët si këndezë majë plehut, por sepse ju me sa duket ende nuk e dini së qytetari ynë shpirtvrarë nuk beson më tek Ju. Unë si qytetar e dua rrugën. Por nuk dua të më vjedhin. Nuk dua që me paratë që mund të rritej rroga ime (që është 20 herë më e vogël së juaja) dhe pensioni i babait tim, një ministër apo një deputet të blejë shtëpi në Holandë apo të dërgojë fëmijët në kolegje miliarderësh. Dhe ndjej neveri që sa herë dikush kërkon llogari për paratë e vjedhura, pushteti është gati në barrikadë, për ta shpallur tradhtar e antishqiptar. Kryeministri juaj dhe ju do të nxitoni të përsëritni prapë deri në neveri: "Madhështia e veprës ju ka verbue jue!". Por zotërinj deputetë, përkundrazi, të verbuarit jeni ju. A e keni menduar ju zotërinj ndonjëherë se shumë thjesht, ajo rrugë mund të bëhej dhe duhej bërë ndershmërisht, pa shkelur ligjin, dhe pikërisht sepse ishte e tille, gjigante, edhe përpjekjet për ndershmëri duhej të qenë të tilla?