E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, hapat e verifikimit të titujve të pronësisë

TIRANË- Në bazë të ligjit të miratuar për verifikimin e titujve të pronësisë, do të shqyrtohen nga e para të gjithë titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991 edhe sipas "Ligjit 7501".

Ligji që ka filluar të zbatohet, ka si synim përcaktimin e kritereve të vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, si dhe ngritjen e strukturave shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe krijojnë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore.

Për pasojë, po verifikohen të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998.


Komisionet vendore do të drejtojnë të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë. Këto komisione do të kontrollojnë direkt veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Komisionet vendore do të zgjidhin mosmarrëveshjet për kufijtë e tokës bujqësore si nëpërmjet rretheve, ashtu edhe nëpërmjet individëve.

Ecuria e verifikimit të këtij procesi nga komisionet vendore, do të kontrollohet nga Komisioni Qeveritar i tokës, i cili do të marrë vendime edhe për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve.

Transformimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore është realizuar në 98.8 për qind të sipërfaqes së parashikuar për ndarje dhe janë dhënë aktet e pronësisë për 96.5% të sipërfaqes së ndarë.

Ndaj, dhe zbatimi i këtij ligji pritet të zgjasë plot tre vjet. Ligji përcakton se fitimi i një titulli pronësie mbi tokën bujqësore është i vlefshëm atëherë kur kriteret të jenë të ngjashme si në vitin 1991, pra, në rast se toka është përfituar në bazë të rregullave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›