E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Shqipëria në NATO s'mund të dështojë me zgjedhjet

Reagon për kartat zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli.


TIRANË- "Shqipëria në NATO është një arritje historike e shqiptarëve pa dallim, dhe jo një slogan elektoral i denjë për koalicionin e Gërdecit". Kështu ka deklaruar dje zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, e cila dje theksoi se Shqipëria në NATO s'mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec.

"Shqipëria në NATO është një ëndërr e bukur shqiptare, që bëhet realitet falë të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi dhe pastaj edhe të gjitha partive të tyre. Kurse Shqipëria që dështon në zgjedhje, është një ëndërr e keqe e së kaluarës, që rrezikon të rikthehet si realitet i hidhur më 28 qershor, për shkak të koalicionit të Gërdecit.

Çdo shqiptar duhet të pajiset me kartën e identitetit, nesër është vonë. Shqipëria në NATO s'mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec", - tha Kodheli. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së shtoi se, votat e shqiptarëve në 28 qershor mund të bëhen si fishekët e trafikuar të Gërdecit, për të fituar në rrugë të paligjshme.

"Shqipëria në NATO nuk është Gërdeci dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, standard i patjetërsueshëm për çdo vend anëtar të NATO-s, nuk mund të hidhen në erë nga koalicioni i Gërdecit, që sot duhet ta dëgjojë zërin ngulmues të opozitës për të mos shkelur të drejtën e votës të asnjë qytetari të varfër, që nuk e blen dot kartën e identitetit. Çdo shqiptar duhet të pajiset me kartën e identitetit, nesër është vonë. Shqipëria në NATO s'mund të dështojë në zgjedhje si në Gërdec",- tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›