Ligji i Dosjeve, replika Withers-Berisha
Tiranë- Ambasada Amerikane i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standartet ndërkombëtare. Në këtë mënyrë diplomacia amerikane kërkon që ky ligj në mos hyj në zbatim, pra të mos dekretohet pa u rregulluar defektet kushtetuese që paraqesin nenet e tij.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar”, vazhdon më tej njoftimi për shtyp. Duke vijuar se “ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse, dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë përfshirë Shtetet e Bashkuara”.
Sipas njoftimit, Ambasada e Sh.B.A. ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar teksa miratoi Ligjin për Pastërtinë e Figurës me shumicë të thjeshtë.
Ky është reagimi i dytë për ligjin një ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Po sot Sekretari i Përgjithshëm i KE-së Terri Devis nëpërmjet një deklarate për shtyp u shpreh se “faktori kohë krijon terren për t’u shqetësuar se ligji do të shkaktojë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë padrejtesitë e bëra në kohën e komunizmit”.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmë ligjin për Pastërtinë e figurës të zyrtarëve të lartë, me 74 vota pro 2 kundër dhe një abstenim. Opozita e abandonoi seancën.
Berisha: Ligji i dosjeve i vonuar por i domosdoshëm
23 Dhjetor 2008 13:01:00
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se votimi i djeshëm në Parlament i ligjit të Dosjeve është një fitore historike mbi krimin ekonomik. Ai shte sot për inspektuar punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, kur bëri deklaratën për ligjin.
Sipas Berishës, ligji i dosjeve ishte i vonuar por i domosdoshëm. Korridori i shqiptarëve, siç e cilësoi Kryeministri Berisha këtë rrugë do të përfundojë këtë pranverë.
“Shumë shpejt, u shpreh ai, do të jetë dita kur të gjithë shqiptarët të thonë: U krye! Duke përsëritur shprehjen e kryeministrit kosovar Thashim Thaçi, ditën e Pavarësisë, mbi varrin e heroi të Kosovës, Adem Jasharit.
Berisha nuk ka harruar të sulmojë edhe Ramën, i cili disa herë ka përsëritur se është bërë korrupsion me të. “Do të ftoj shumë qytetarë që të vijnë ta vizitojnë, por nëse mundet ndonjëri nga ju ta bindë që të vijë edhe Edi Rama, në rast të kundërt do t'ia çojmë fotot që të mos e zërë gjumi”, tha Kryeministri Berisha.