Sherr për territore kromi, nën tokë 6 minatorë
Bulqizë-Sherri për territore kromi ka shpënë deri në veprime absurde, kur njëra firme i bllokon hyrjen e galerisë firmes tjetër, duke rrezikuar jetët e minatorëve që punojnë nëntokë. Kjo ka ndodhur sot në një prej galerive të zonës D në minierën e Bulqizës, e njohur për trupa krommbajtës të pasur, dhe që në raste të tilla lakmohen nga firmat shfrytëzuese të këtij minerali.
Ndërsa punonin në thellësi të galerisë, 7 minatorët e firmës ERGI-K, në sipërfaqe tek gryka e galerisë, janë shfaqur mjete të firmës tjetër „Vajkal 2007“, të cilat kanë shembur një pjesë të galerisë duke bllokuar hyrjen dhe daljen e kësaj pjese të minierës. Bllokimi është bërë afër orës 09.00 të mëngjesit të sotëm dhe ka vazhduar për katër orë, deri sa ka vajtur policia vendore, e cila ka bërë zhbllokimin e menjëhershëm të galerisë, nisur dhe nga fakti se brenda saj kishte minatorë dhe se ky ishte një veprim i kundëërligjshëm. Sipas burimeve policore te komisariatit të Bulqizës, policia është njoftuar disa orë pas ngjarjes,pasi vetë subjektet nuk kanë arritur ta mbyllin problemin që prej ditësh që kishte nisur, dhe ku firma ERGI-K pretendon galerinë dhe hyrjen e saj në atë territor, ndërsa firma tjetër pretendonte të kundërtën.
Ndërkaq drejtuesit e kompanisë ERGI-K, minatorët e së cilës janë bllokuar për disa orë në galeri, janë shprehur se janë firmë e licensuar dhe se galerinë ku punonin e kishin sipas kontratës së nënshkruar shtetërore dhe për këtë kishin paguar të gjitha detyrimet. Gjithsesi, sipas policisë këtë çështje do ta hetojnë specialistë të antikrimit ekonomik të drejtorisë së policisë Dibër, ndërsa është bërë e mundur hapja e hyrjes së galerisë dhe dalja e minatorëve nga nëntoka.
Ky konflikt për territore kromi nuk është rasti i parë që ngjet në këtë minierë, si për pjesën poshtë nëntokës dhe atë sipër tek stoku i kromit, madje konfliktet disa herë kanë agravuar deri në përleshje me armë e mjete të tjera të dhunshme, gjë për të cilën disa herë policia ka ndërhyrë. Vetë ministria e Ekonomisë nuk ka arritur të verë rregull në tërë sektorët për të punuar me licensë dhe në kushte të larta sigurie, duke i lënë shteg dashje pa dashje vetgjyqësisë në mes palëve.
Minatorët e bllokuar
Fadil Capa,
Behar Lika,
Gazmend Tyci
Shaqir Skënderi,
Bashkim Nurce
Rexhep Gjura.