Takimi i fundvitit, Topi vlerëson rolin e medias
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një pritje në ambientet e Pallatit të Brigadave me rastin e Vitit të Ri 2009 me të ftuar drejtues, gazetarë, administratorë, studiues dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare.
Me këtë rast, Kryetari i Shtetit i përcolli të pranishmëve urimet më të ngrohta, duke dhënë vlerësime maksimale për punën e gazetarëve.
Ai ka përgëzuar mediat për punën e jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. “Tashmë është e qartë që jeni ju avokatët më të mirë të qytetarëve duke na përcjellë të gjithë neve shqetësimet e sensibilitetet e tyre”- tha Topi në fjalën e tij.
Sipas tij, bilanci i mediave është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit. Jo pak herë, institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve tuaja, ka shtuar Topi, edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur.
“Keni një mision sa të rëndësishëm aq edhe delikat, i cili nuk duhet të influencohet aspak nga interesa të kujtdo qofshin dhe besoj se edhe konkluzionet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë si nga mediat ashtu edhe nga politika e biznesi”- theksoi kreu i shtetit.
Ai ka këmbëngur në lirinë e medias, që edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demogogji. Pasi, sipas Topit, është në radhë të parë respekt për punën e një armate të tërë gazetarësh, por edhe korrektesë, etikë e përgjegjshmëri nga ana e tyre. Presidenti ka falenderuar për rrugëtimin e bërë së bashku gjatë këtij viti të nbushur me debate e ngjarje të rëndësishme për vendin. Ndërsa ka siguruar se Institucioni i Presidentit do vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe në vitin e ardhshëm, i cili gjithashtu ka mjaft momente të rëndësishme për vendin.