Ligji i Kryeministrit Orban rrezikon lirinë e shtypit
Qeveria hungareze planifikon një ligj të ri mediatik, i cili kritikohet si një ligj mjaft restriktiv. Radiotelevizioni publik do të ketë struktura të reja, ku dora drejtuese nga lart do të ndihet më shumë. Në fillim të dhjetorit lexuesit e gazetave dhe revistave hungareze u habitën jo pak: Gazeta ditore “Nepszava” (Zëri i Popullit) me orientim të majtë dhe sindikalist si edhe dy gazeta të njohura javore të politikës kulturore “Magyar Narancs” (Portokallia hungareze) dhe “Eles es iroladom” (Jeta dhe letërsia) u botuan me faqen e parë bosh. Kjo ishte protesta më efektive kundër politikës mediatike të qeverisë populiste nacionalkonservatore të Kryeministrit Viktor Orban. Dihet që në 1 janar 2011, qeveria hungareze do të fusë në fuqi ligjin e ri për median. Miratimi i tij pritet të bëhet pas dy javësh. Por prej kohësh redaksitë protestuese e shohin të rrezikuar lirinë e shtypit në Hungari dhe bëjnë fjalë për mosekzistencën e saj nga 1 janari 2011. Kushtet për këtë janë të favorshme. Partia e Orbanit “Demokratët e rinj” (Fidesz) fitoi në zgjedhjet parlamentare në prill më shumë se dy të tretat e vendeve në Parlament. Që atëherë kryetari i qeverisë po e rinovon sipas konceptit të tij shtetin dhe administratën hungareze. Këtu përfshihet edhe një politikë që i kontrollon më mirë mediat dhe i bllokon më lehtë kritikët e padëshiruar. Në tetor u krijua “Këshilli i medias”, vetëm me besnikë të qeverisë. Ky këshill mund të ushtrojë kompetenca kontrolli dhe sanksionesh ndaj mediave private dhe atyre publike. Baza e tij është e ashtuquajtura “karta e medias” e cila ende nuk ka hyrë në fuqi, por që me të do të obligohen gazetarët “të raportojnë në mënyrë faktike dhe të baraspeshuar” si edhe të përhapin vlerat kristiane, patriotike dhe kombëtare. Hapa të tjerë në ndryshimin radikal të peizazhit mediatik priten javët e ardhshme. Në fund të nëntorit në Radiotelevizionin publik dhe Agjencinë e Lajmeve MTI u emëruan drejtorët e rinj, natyrisht njerëz të qeverisë. Prej kohësh OSBE dhe Parlamenti Europian kanë shprehur shqetësime për ligjin e planifikuar për mediat. Por intervenimet nga jashtë nuk kanë pasur ndonjë ndikim në politikën e qeverisë Orban, e cila vazhdon të ndjekë politikën e një demokracie hungareze të komanduar me një vetëbesim të madh.