Qeveria tërhiqet nga ligji i SHISH
BLEDAR HOTIQeveria dhe Kuvendi tërhiqen për një kohë të pacaktuar nga shqyrtimi dhe miratimi i ligjit të "Shërbimit Informativ Kombëtar". Pas qëndrimeve të ashpra të ndërkombëtarëve mbi variantin e Qeverisë, mbi ndryshimin e kompetencave të kreut të SHISH, Ekzekutivi ka preferuar që të tërhiqet përkohësisht nga diskutimi i draftit në Komisionet Parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve, me argumentimin se janë në pritje të amendimeve të reja shtesë. Sipas burimeve pranë Komisionit të Ligjeve mësohet se deputetët janë në pritje të propozimeve që duhet të paraqesë vetë SHISH, në lidhje me projektin e paraqitur nga Qeveria. Mësohet se vetë ky institucion ende nuk ka paraqitur propozimet e veta mbi draftin, pasi ato do t'i bëjë publike në seancën dëgjimore që do të zhvillohet në dy komisionet parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve. Gjithashtu mësohet se vetë kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri, sipas burimeve nga Kuvendi, nuk ndodhet prej dy ditësh në Shqipëri, është një vizitë zyrtare jashtë shtetit. Kjo kondicionin dhe zhvillimin e seancës dëgjimore me dy komisionet parlamentare të Ligjeve të Sigurisë. Drafti "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" është parashikuar që të votohet në seancën e ardhshme të 18 shkurtit, por vonesat në shqyrtimin e tij, duket se do ta shtyjnë për në seancat e ardhshme parlamentare. Ndërkohë nga burime pranë Komisionit të Sigurisë mësohet se Qeveria ka dhënë sinjale të rishikojë ato nene që janë kontestuar ashpër nga ana e ndërkombëtarëve me anë të deklaratave publike. Tre ditë më parë, zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dolën kundër Qeverisë, për sa i përket ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një prononcim për "Top Channel", Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. "Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Evropian merr në analizë edhe çështje të tilla, si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij", theksoi Lohan. Nga ana tjetër edhe Uashingtoni i kërkon Qeverisë që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për SHISH. "Lidhur me projektligjin është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s", tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë, në prononcimin për Top Channel. Pika e cila kontestohet ashpër është pikërisht një fjali në nenin 5, që thotë se "Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij". Në draft parashikohet SHISH të hetojë edhe në lidhje me korrupsionin ku sanksionohet se "SHISH ka për detyrë: të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike; të mbledhë, me miratimin e Kryeministrit".nenet e kontestuaraNeni 5"Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij. Sipas përcaktimeve të Kryeministrit, Drejtori i SHISH raporton dhe në Këshillin e Ministrave".Neni 5/11. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë"2. Me propozimin e kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron zv.drejtorin e SHISH. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.