E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHISH, nis diskutimin, mungon opozita

TIRANE-Kanë nisur sot paradite me dyer të mbyllyra dhe pa prezencën e opozitës punimet në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për projektligjin “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”. Pas shtyrjes që iu bë dje diskutimit, sot Komisioni pritet të diskutojë nen për nen draftin dhe më pas ta kalojë atë në parlament. Edhe pse maxhoranca një ditë më parë I bëri ftesë opozitës të marrë pjesë në komision për të diskutuar ligjin për SHISH, opozita ka shpërfillur këtë apel dhe sot ka munguar në punimet e Komisionit të Sigurisë.
Maxhoranca ka nisur kështu nga puna për diskutimin e më pas miratimin e ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për Shërbimin Informativ shtetëror”, pavarësisht presionit në rritje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
Mazhoranca përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë me urgjencë mbrëmjen e djeshme, pretendon se ndryshimet në ligjin për SHISH-in janë demokratike dhe forcojnë luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këto ndryshime demokratike bëhen të nevojshme për shkak të sfidave me të cilat përballet SHISH, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë global, për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë. Ndryshimet që propozohen zgjerojnë dhe saktësojnë detyrat e SHISH-it kundër terrorizmit, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, korrupsionit të personave që kanë funksione publike etj.”- thuhet ne njoftim. Më tej deputetët e shumicës ftojnë kolegët opozitarë të zënë vendet e tyre në Komision, pasi ato nuk kanë qënë të pranishëm as dje as sot për të diskutuar projektligjin nen për nen dhe për të marrë vendimin përkatës.

Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare zhvilloi paraditen e djeshme një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura për projektligjin e SHISH-it. I ftuar në këtë mbledhje ka qenë drejtori i këtij institucioni, Bahri Shaqiri. Seancën e ndoqën nga afër përfaqësues të ambasadës amerikane, OSBE-së dhe misionit të Bashkimit Europian të asistencës për sistemin e drejtësisë, EURALIUS.

Letra e NATO-s
Qeveria shqiptare ka marrë një letër nga zyra përgjegjëse e NATO- për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS. Kjo strukturë i kërkon qeverisë që pr/ligji i ri për SHISH-in të kalojë më parë prej zyrës së saj, që përbehet nga 3 degë: Orientimet e Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë dhe Siguria e Mbrojtjes. Kërkesa për një shqyrtim të pr/ligjit nga ekspertë ndërkombëtarë u formulua fillimisht nga ambasadori i SHBA-së, John ëithers. Në një konferencë të posaçme shtypi, ai deklaroi katër ditë më parë se amendamentet në formën e miratuar cenojnë pavarësinë e SHISH-it nga ndërhyrjet politike e për pasojë prishin imazhin e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›