E Diel, 1 Nëntor 2026

Nismat e PS, opozita braktis Komisionin e Ligjeve

TIRANE-Opozita braktis punimet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ku po diskutoheshin nen për nen Nismat e PS e për transparencë të zgjedhjeve te 28 Qershorit. Puna e saponisur sot paradite në Komision kaloi ne debate te ashpra mes paleve pasi diskutimit të neneve 1,3, 4. Ndërkaq Mazhoranca po vijon e vetme diskutimin e projektligjit pa praninë e opozitës.

Gjatë mbledhjes se sotme maxhoranca paraqiti amendamentet e saj për draftin e PS-së, "për ta sjellë atë në përqasje me Kushtetutën". Kështu, PD kerkoi te ndryshoje nenin 4 të projektligjit, që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera, përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, kur për to ka një vendim gjykate. Tre deputetë të PD, Gent Strazimiri, Eduart Halimi dhe Edi Paloka kanë paraqitur disa propozime mbi projektligjin e PS për hetimin e zgjedhjeve. Demokratet propozojne që neni 4 i PS që synon hapjen e kutive te votimit dhe kqyrjen e materialeve zgjedhore nga komisioni hetimor të perfshijë nje periudhe kohore prej 3 muajsh. Gjithashtu PD kerkon ndryshim te nje paragrafi ne nenin 3, sipas të cilit objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte që tregojnë qartë se cfarë hetohet. Ndërkaq në Nenin 1, PD, kërkon të bëhet një ndryshim sipas të cilit komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund te hetojne ceshtjet e gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as të hetojnë ceshtje, fakte apo kompleks faktesh per te cilat eshte regjistruar kallezim penal ne prokuropri ose kur ato jane ne shqyrtim gjyqesor.

Por, anëtari socialist i këtij Komisioni, Fatmir Xhafa theksoi se maxhoranca ka bërë hipokrizi me zgjedhjet dhe prova që e dëshmon këtë janë amendamentet që propozoi sot. Xhafa theksoi se kriza është politike dhe jo juridike. Ne keto kushte opozita le sallen ku po zhvillohej mbledhja e Komisionit te Ligjeve.

Ndërkaq ka reaguar deputeti Eduart Halimi sipas të cilit tryeza e Komisionit të Ligjeve nuk është tryeze ku mund të behen marreveshje politike, por një Komision që merret me cilësine e ligjeve. Sipas tij, PS kerkoi që të kalohej në nenin 4 kur neni ende ne diskutim ishte neni 1. “Ne i thame PS të merrte kohen e duhur për të diskutuar me lideret e saj dhe pastaj të dilte me një qendrim”- ka deklaruar Halimi.

Kreu i Komisionit te Ligjeve, Ilir Rusmali e quajti kete largim te opozites si nje gjest per shmangie te debatit. Gjithsesi sipas Rusmalit mazhoranca nuk mund ti shmanget debatit, pasi sic theksoi ai "Kuorumin në komisionin e kemi, ne do vazhdojme me procedurën".

Një ditë më parë ky komisioni miratoi në parim me konsensus nismat e Partisë Socialiste për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 'Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit".

Komisioni i Ligjeve nisi shqyrtimin e propozimeve të PS-së në fillim të kësaj jave, (8 mars).
Në mbledhjet në vijim, gjatë debatit në parim deputetët e të dy palëve shfaqën qëndrime të kundërta rreth iniciativës ligjvënëse të socialistëve lidhur me kushtetueshmërinë e saj. Sipas maxhorancës nisma e opozitës është "jashtë shtratit kushtetues dhe në shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese".
Ndërkohë, që deputetët socialistë deklarojnë të kundërtën, që nisma e tyre vetëm se mbështet të drejtën e parlamentit për të hetuar shkeljet e ligjit zgjedhor dhe nuk kërkon të hyjë në kompetencat e institucioneve të tjera.

Pas mbylljes të diskutimit në parim të projektligjit, komisioni i Ligjeve vendosi të vazhdojë debatin sot me diskutimin nen për nen, debat që dështoi në diskutimin e 3 prej neneve ku opozita nuk ra dakort.

Kuvendi, me një vendim të veçantë, vendosi shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të nismës së PS-së, e cila pritet të diskutohet në parlament në seancën plenare të 18 marsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›