Nisin bisedimet për afrimin e PS me LSI para zgjedhjeve
Aristir Lumezi
Negociatat që do të tentojnë bashkimin e dy partive të majta, PS dhe LSI kanë nisur dje pasdite. Në një nga pasditet më të ftohta të dimrit të sivjetshëm, ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, u takua në një nga lokalet e njohura të kryeqytetit me nënkryetarin e LSI-së, Sabit Brokaj me të cilin kanë ndarë shqetësimet për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të dy partive në funksion të fitores të së majtës në zgjedhjet e ardhshme. I pyetur nga ‘Panorama’, Meidani u shpreh se i qëndron atyre konstatimeve dhe shqetësimeve që ka shprehur në media për gjendjen brenda të majtës. Sipas tij, “Partia socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të bashkëpunojë dhe bashkohen në funksion të fitores së zgjedhjeve”, tha Meidani, ndërsa u shpreh i gatshëm të kontribuojë në këtë aspekt, por kjo sipas tij do të varet nga vullneti i palëve. Kreu i LSI-së Ilir Meta, nisur nga shqetësimet që kanë shprehur në media ditët e fundit ish- Presidenti i vendit Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi dhe ish-deputeti socialist dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të PS-së me LSI-në, kërkoi prej tyre angazhimin e personalitetit të tyre në ndihmë të një bashkimi që do të garantonte të majtën në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye, pasi ka kontaktuar me të tre personalitet e njohura, protagonistë në momente kyçe në historinë e PS-së, Meta mandatoi nënkryetarin e LSI-së, Sabit Brokaj, një nga themeluesit e PS-së, të kontaktojë me to për të bërë të mundur gjetjen e një konsensusi mes këtyre dy forcave politike për bashkëpunim. Ashtu si ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili për çështje të rëndësishme konsultohej me ‘Grupin e të Urtëve’, edhe kreu i LSI-së Ilir Meta iu drejtua dje të ‘Urtëve të PS’, fjala dhe sugjerimet e të cilëve zënë vend brenda të majtës, për të transmetuar nevojën e këtij bashkëpunimi brenda të majtës. Patriarku i PS-së Dritëro Agolli, i cili vazhdimisht në komunikimet e tij mediatike e ka parë ndarjen veç e veç të së majtës, si një garanci në fitoren e ardhshme të Berishës, ka shprehur gadishmëri që të mbështesë ato shqetësime që ka shprehur vazhdimisht. Mbetet që vullneti i drejtuesve të PS-së të shprehet hapur, nëse kërkojnë një bashkim real brenda së majtës, apo janë të vendosur të injorojnë çdo ftesë që vjen nga e majta për bashkëpunim. Që prej dy javësh, kryetari i PS-së Edi Rama nuk i përgjigjet ftesës që Ilir Meta i ka bërë për të dialoguar për çështje të Kodit Zgjedhor, pas kthimit të tij sërish në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Socialistët këmbëngulin që diskutimi për kodin do të përqendrohet vetëm në atë çështje që Presidenti i Republikës ka përcaktuar në dekretin e tij. Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, patriarku i PS-së, Dritëro Agolli tha se “nëse PS dhe LSI janë të ndara veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009”. Duke komentuar situatën në të cilën ndodhen dy partitë kryesore të së majtës shqiptare, PS dhe LSI, patriarku i socialistëve i kërkon atyre të vlerësojnë mirë njëra-tjetrën. “LSI është një parti me një vitalitet shumë të madh dhe LSI nuk është si partitë e krahut tjetër”, tha shkrimtari i njohur. Ndërsa ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi ka shprehur shqetësimin e tij në një deklaratë për “Panorama” tha se, “Unë e kam deklaruar dhe e kam thënë gjithnjë se në situata të tilla, bashkimi i forcave të majta është në të mirë të fitores në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009”.
Meta: Të hapur të bashkëpunojmë me PS në interes të së majtës
Kryetari i LSI-së Ilir Meta kërkoi dje nga personalitetet e njohura të PS-së të japin kontributin e tyre për bashkimin e të majtës dhe bashkëpunimin e saj para zgjedhjeve. “Duke ndjekur me vëmendje disa reagime publike të ditëve të fundit nga disa figura të njohura të së majtës, të cilat janë figura të njohura edhe të Partisë Socialiste, si Prof.Rexhep Meidani, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli apo Prof. Servet Përllumbi sot, të cilët shprehin shqetësimin për situatën brenda opozitës dhe bëjnë apel për bashkëpunim të opozitës dhe në mënyrë të veçantë midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, jam sot këtu përpara jush dhe përpara opinionit publik, për të shprehur konsideratat e mia, për shqetësimet dhe preokupimet e tyre, që besoj se janë vërtetë të sinqerta”, u shpreh dje Meta gjatë një komunikimi me mediat. Kreu i LSI-së tha dje se nënkryetari i LSI-së Brokaj është i mandatuari i LSI-së që të kontaktojë me këto personalitete, të cilët kanë një peshë të madhe me mendimet dhe sugjerimet e tyre në politikën e të majtës. “Unë jam sot këtu edhe me Prof. Sabit Brokaj, një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe nga kontribuesit më të spikatur të së majtës gjatë gjithë këtyre 18 viteve të pluralizmit dhe të demokracisë, duke pasur besim edhe tek angazhimi i tij tepër i sinqertë dhe parimor, për të kontribuar në krijimin e një klime, e cila do të sillte një takim dhe do të rivendoste një dialog mes dy forcave të rëndësishme politike në vend, PS dhe LSI-së”, tha Meta.
Kreu i LSI-së u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me PS për fitoren e të majtës në zgjedhjet e 2009. “Me këtë rast, dua shpreh edhe njëherë vendosmërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të bashkëpunuar me çdo forcë politike në vend, në mënyrë të veçantë me çdo forcë politike të opozitës, në mënyrë akoma më të veçantë, me Partinë Socialiste, mbi baza parimore dhe interes të opozitës, të së majtës dhe të interesave kombëtare të vendit tonë”, tha Meta.
Rama: Ta ndryshojmë politikën, të mos jetë shou si “Big Brother”
Kreu socialist ishte dje në komunën e Farkës në vazhdim të dialogut të tij me Shqipërinë, ku i ka kërkuar të rinjve të organizohen në rrjete qytetarësh për të mbështetur projektet politike që janë në favor të tyre. Duke pasur pranë një prej personazheve të spektaklit ‘Big Bother’ Astritin, i cili është bërë anëtar i PS të komunës Farkë, Rama u shpreh se “duhet ta ndryshojmë politikën nga një shfaqje të pambarimtë, si të ishte shtëpia e ‘Big Brother’, ku politikanët me njëri-tjetrin zihen, sherrosen, kacafyten, bashkohen, ndahen, mallkohen, dhe ku gjithë populli votues kthehet në një telespektator që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish, që mban peng historinë tonë të përbashkët, në një hapësirë ku të diskutohet për të zgjidhur problemet tona të përbashkëta”. “Politika nuk ka lindur për të qenë shtëpia e ‘Big Brother’. Politika nuk ka lindur për t’i dhënë mundësinë një grushti njerëzish që të japin shfaqjen e shëmtuara që japin prej 17 vjetësh dhe që shfaqen përpara njerëzve duke dalë nga kutia e televizorit vetëm kur është fjala për të marrë vota, e më pas të mbyllen në kutinë e televizorit për të vazhduar të njëjtën shfaqje”, tha Rama. Sipas tij, nëse të gjithë organizohen në një rrjet njerëzish, që e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë, por edhe që janë të gatshëm të mbështetin çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, atëherë politika e politikanëve do të flasë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Kryetari Socialist ka premtuar, se në rast fitore në zgjedhjet e 2009-ës, dy nga gjërat ku do të fokusohet PS maksimalisht për të ndryshuar rrënjësisht përqasjen, janë arsimi e bujqësia. Për Edi Ramën, duhet bërë çmos, që fëmijët të arsimohen si duhet, kurse fshatit t’i jepet frymëmarrja e nevojshme.