Projekti, qarkullimi rrugor, jo më pjesë e komisariateve
Qarkullimi rrugor nuk do të jetë më pjesë e komisariateve apo drejtorive të policisë në qarqe, por do të funksionojë si drejtori më vete dhe varësinë do ta këtë direkt nga Policia e Shtetit. Do të ketë një drejtori të përgjithshme, nga e cila do të varen tri minidrejtori dhe nga të cilat do të varen shefat e qarkullimit në çdo qytet, ndërkohë që parashikohet që edhe funksionin kjo strukturë ta kryejë jashtë ambienteve të komisariateve apo drejtorive të policisë së qarqeve në vend. Ky projekt i Policisë së Shtetit në konsultim me PAMECA-n është parë si një mënyrë efikase për t’i dhënë fund korrupsionit në radhët e Policisë Rrugore, por edhe për t’i dhënë fund mënyrës se si është duke funksionuar kjo strukturë, ndaj dhe pritet që në muajt në vazhdim, pasi ta ketë firmosur edhe numri një i institucionit të Ministrisë së Brendshme, kjo drejtori të fillojë të funksionojë si strukturë më vete. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare në Ministrinë e Brendshme, të cilat japin më tepër sqarime për mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë. Ideja ka ardhur pasi vendi ynë konsiderohet si një vend transit, ku kalojnë mjaft automjete. Sipas burimeve nga policia, ka disa modele ku po bazohet ky ndryshim, një prej të cilëve i marrë në konsideratë ka qenë ai i Belgjikës. Edhe ky shtet është një vend transit, ku kalojnë automjete të shumta dhe pas disa vjetësh, pritet që këtë status të ketë edhe Shqipëria. Sipas projektit që po punohet, është parashikuar që në të gjithë territorin e vendit të krijohen tri minidrejtori. Një minidrejtori për Jugun e vendit, një për Veriun dhe një për Tiranën, si kryeqytet dhe një prej territoreve me dendurinë më të madhe të mjeteve.
Risia
Risia në këtë ide qëndron në varësinë e drejtorisë së policisë. Deri tani Policia Rrugore ka varësi horizontale, domethënë e varur nga komisariatet, ndërsa me strukturën e re, do të ketë varësi vertikale, që do të thotë se drejtoria do të varet direkt nga Policia e Shtetit. Sipas burimeve nga policia, në çdo strukturë pritet që të ketë disa qarqe në varësi dhe do të bëjë të mundur që punonjësit e Policisë Rrugore të jenë të përqendruar në një vend. Më pas, po sipas burimeve zyrtare policore, në bazë të punës, do të zhvendosen në territore të caktuara për të kryer detyrën e tyre. Një gjë e tillë bëhet për funksionimin më të thjeshtë të punonjësit të Policisë Rrugore dhe për eliminimin e korrupsionit. Sipas hartuesve të projektit, në vende të vogla për më tepër krijohet familjarizimi me banorët, gjë që e bën shumë të vështirë marrjen e masave administrative të shkelësve të Kodit Rrugor. Me vënien në zbatim të këtij projekti kjo gjë do të shmanget, pasi punonjësit e policisë nuk do të jenë të përhershëm. Madje, parashikohet të ketë edhe një shkurtim të numrit të punonjësve në Policinë Rrugore. Ata do të jenë në vend, në varësi të kërkesave të punës dhe të nevojave për funksionimin normal të qarkullimit rrugor. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, me strukturën e re do të luftohet edhe korrupsioni tek punonjësit e Policisë Rrugore dhe do të zbatohen me efiçencë ligjet. Kjo, pasi në strukturën aktuale, një punonjës policie ka mbi dhjetë vartës ndaj të cilëve duhet të japë llogari. Kjo sjell që ai të mos bëjë një punë korrekte, duke pasur shpesh “ndërhyrje” për iks apo ypsilon person. Ndërsa kur struktura është vertikale, pra polici rrugor ka varësi vetëm nga Policia e Shtetit, kjo gjë shmanget dhe në mënyrë të natyrshme eliminon edhe rastet korruptive. Ky projekt është duke u punuar dhe po përgatitet në bashkëpunim me PAMECA-n.
Funksionimi
Në strukturën aktuale, shefat e qarkullimit rrugor varen nga drejtori i policisë së qarkut në çdo qark. Ndërkohë që me strukturën e projektit të ri, do të ketë një varësi vertikale, pra shefat e qarkullimit do të varen nga drejtuesit e tri minidrejtorive, të cilët janë vartës të drejtorit të përgjithshëm të tyre, ndërsa ky i fundit ka varësi direkte nga Policia e Shtetit. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, ka ardhur momenti që të ndryshohen disa rregulla për një funksionim më të lehtë të punë së Policisë Rrugore në vend dhe për të arritur një gjë të tillë u desh një model. Pasi u hodhën në tavolinë disa modele të vendeve të BE-së, u përzgjodh ai i Belgjikës si më i përshtatshmi për t’u zbatuar në vendin tonë. Gjithashtu, po sipas burimeve, me krijimin e autostradës Durrës-Morinë, ka rregulla të tjera të cilat do të duhet të zbatohen. Por, në situatën aktuale, “Rruga e Kombit” duhet të ndahet në copëza të vogla nga Policia Rrugore në qarqe për mbarëvajtjen e saj. Ndërsa me projektin e ri, i cili pritet të vihet në zbatim shumë shpejt, do të ketë patrulla policore speciale që do të merren me kontrollin e tyre.