E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me vullnetaret: Është koha për ndryshim

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama çeli dje turin e takimeve me rrjetin e vullnetarëve në 36 qytete



TIRANË- Partia Socialiste ka çelur turin e ri, atë të takimeve me rrjetin e vullnetarëve në 36 qytete. Ka qenë Vlora ajo që ka hapur dje siparin e këtij turi, me një takim në teatrin "Petro Marko", ku ka marrë pjesë edhe kreu i socialistëve, Edi Rama.

Duke përshëndetur vullnetarët që kishin mbushur sallën dhe të cilët do të kontribuojnë në fushatën e ardhshme elektorale për Partinë Socialiste për këtë qytet, shefi i selisë rozë ka bërë të ditur që në krye të fjalës së vet se është koha që të plotësohet ëndrra për ndryshimin e madh. Për këtë arsye, ai ka kërkuar ndihmën e këtyre të rinjve që kanë dalë vullnetar, për të transformuar energjitë e gjithë shqiptarëve, përtej të majtës dhe të djathtës, në një lëvizje për realizimin e ëndrrës së Shqipërisë Europiane.

"Transformimi i këtij vullnetarizmi është shpresa se kjo do të përçojë fuqinë e ndryshimit dhe do të çojë në ndarjen e shumëpritur me të shkuarën, që nuk na le të prekim të ardhmen, duke flakur tej pushtetin e disave në kurriz të të gjithëve, një monopol të vërtetë familjarësh. Nuk duam fitore, të ndryshojnë disa e të vijnë disa të tjerë, por të ndryshojmë politikën e vjetër në favor të qytetarëve", - u shpreh Rama në fjalën e vet.

E ashtu siç ka bërë edhe në takimin e fundit atë për konferencës kombëtare të bujqësisë të mbajtur një javë më parë, edhe dje kreu i PS-së ka zbardhur disa nga zgjidhjet që ofron programi politik dhe qeverisës i socialistëve për çështje konkrete. Dje, ai është ndalur më së shumti tek problemi i arsimit dhe sidomos tek ai fillor dhe nëntëvjeçar, për të cilët ka premtuar ndërhyrjen e shtetit për të krijuar mundësi të barabarta për çdo fëmijë si fshat ashtu edhe në qytet.

Rama ka premtuar se me ardhjen e socialistëve në pushtet, për çdo fëmijë që e ka shkollën larg vendbanimit, për të do të vendosen në dispozicion mjete transportuese nga ministria. "Ne do t'i japim çdo fëmije mundësinë e barabartë për shkollim pavarësisht nëse ka lindur në Tiranë apo në fshatrat e Hasit ose Mallakastrës.

Asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra, asnjë prind që nuk blen dot librat e fëmijës për shkak të varfërisë nuk do ta mbetet pa ndihmë dhe asnjë zonë rurale nuk do të mbetet pa mësues. Pas 142 ditësh do të fillojë fundi i njëshkolonave migjeniane të kalamajve që në shi e dëborë ecin me orë të tëra, për të mbërritur shkollën.

Kudo që do të ketë fëmijë për të shkuar në shkollë më shumë se 20 minuta në këmbë, do të jemi ne që do t'i transportojmë falas, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri fëmijësh me abetare e një Shqipëri fëmijësh pa abetare, sepse atdheu ynë s'mund të jetë prind për disa fëmijë e njerkë për disa fëmijë të tjerë", - deklaroi Rama. Një tjetër premtim i dhënë prej tij ishte dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve shqiptar, ashtu si qytetarët e Europës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›