E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve në dorë të Presidentit

05/01/2009  Pritet që kreu i shtetit të japë verdiktin për ligjin e spiunëve dhe datën e zgjedhjeve

Savani do t’u drejtohet kutive të votimit në një nga të dielat e fundit të qershorit

Ligji për pastërtinë e figurave, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse, pritet të marrë përgjigjen e kreut të shtetit. Dekretimi ose jo i këtij ligji nga ana e Presidentit Bamir Topi do të bëhet i ditur gjatë këtyre dy javëve. Ndërkohë jo më pak e rëndësishme është dhe dekretimi prej tij i datës së zgjedhjeve. Pas miratimit të ligjit elektoral nga ana e Kuvendit tashmë i mbetet kreut të shtetit të vendosë për datën kur sovrani do të drejtohet në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për pushtetin qendror. Por bashkë me verdiktin e kreut të shtetit lidhur me ligjin e spiunëve në skenën politike rikthehen dhe debatet mbi një çështje të tillë. Kjo pasi sikundër dihet dy kampet politike kanë kundërshtuar deri në bojkot miratimin e këtij ligji. Madje, sa i takon këtij ligji Presidenti Topi ka dhënë garancinë se një çështje e tillë do të diskutohet në sensin e duhur për të mos marrë keqkuptimet, por për të arritur në standardet e nevojshme për demokracinë e re. Por gjatë një prononcimi mbi ligjin e dosjeve Topi pati theksuar se çështja e hapjes së dosjeve ndoshta është edhe e vonuar, pasi sipas tij gjithmonë ka pasur tentativa për t’i hapur dhe për t’i mbyllur, por politika ka qenë dhe është e vonuar. Partia Socialiste do të vijojë kontestimin e ligjit për pastërtinë e figurës. Grupi kuvendor i kësaj partie do të presë qëndrimin institucional të kreut të shtetit mbi këtë ligj dhe më pas do të ndërmarrë nismat në vijim të qëndrimit të palëkundur për të kundërshtuar një ligj, që sipas socialistëve është antikushtetues. Pas miratimit në Kuvend të ligjit vetëm më votat e mazhporancës, ligjvënësit socialistë do të ndërmarrin një tjetër hap, me qëllim moszbatimin e tij. Konkretisht socialistët do ta çojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Por përpara se të formalizojë një nismë e tillë Partia Socialiste do të presë reagimin e përfaqësuesve të sistemi gjyqësor. Në këtë mënyrë, nëse gjyqtarët do ta kontestojnë këtë ligj duke e çuar në Kushtetuese, atëherë ligjvënësit socialistë do të jenë në mbështetje të kësaj nisme. Në të kundërt do të jetë PS-ja iniciatore për të konkretizuar kontestimin e tyre në këtë instancë.

Data e zgjedhjeve

Pas dekretimit të ligjit elektoral nga ana e kreut të shtetit hapi i radhës është pikërisht përcaktimi i datës së zgjedhjeve, ditë në të cilën votuesit shqiptarë do të vendosin për përfaqësuesit e pushtit qendror dhe që natyrisht do t’i drejtojë ato për katër vitet e ardhshme. Sipas dispozitës kalimtare të miratuar nga Kuvendi më 29 dhjetor të vitit të kaluar, Presidenti i Republikës Bamir Topi duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve 7 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Nëse llogaritim në afate ideale kohën që i duhet ligjit zgjedhor të hyjë në fuqi, Presidenti Bamir Topi deri më 21 janar duhet të ketë realizuar konsultimet me partitë politike dhe të ketë shpallur datën e zgjedhjeve, e cila do të jetë 21 ose 28 qershori. Ndërkaq janari pritet të jetë një muaj dedikuar përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare jo thjesht për institucionin e kreut të shtetit, por edhe për qeverinë dhe parlamentin. Së pari, parlamenti duhet të ngrejë KQZ-në dhe të zgjedhë anëtarët dhe kryetarin e saj sipas propozimeve të mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë sfida më e madhe për qeverinë mbetet shpërndarja e kartave të identitetit, aq më tepër që tashme Kodi Zgjedhor sanksionon se askush nuk mund të votojë me certifikatë, por vetëm me pasaportë ose me kartë identiteti. Kështu, muaji i parë i vitit 2009 pritet të ketë shumë zhvillime të rëndësishme, që i përkasin tërësisht procesit zgjedhor të qershorit.

Ligji i dosjeve

Presidenti Bamir Topi pritet të shprehet gjatë këtyre dy javëve për ligjin e pastërtisë së figurës. Një ligj i tillë u kundërshtua me forcë nga opozita parlamentare, e cila bojkotoi seancën e votimit të këtij ligji. Por miratimi i ligjit hasi dhe në kundërshtinë e faktorit ndërkombëtar, i cili tërhoqi vëmendjen e mazhorancës.

Topi për ligjin

“Do të bëj konsultimet dhe studimin e ligjit. Kam qenë vlerësues për ndihmën që partnerët ndërkombëtar i kanë dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, qoftë për Këshillin e Europës, qoftë për partnerët e BE-së, por në mënyrë të veçantë për SHBA-të, që gjithmonë mbeten aleatët kryesorë në të gjitha betejat për demokracinë.”

Data e zgjedhjeve

Sipas dispozitës kalimtare të miratuar nga Kuvendi më 29 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Topi duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve 7 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Kështu, Presidenti Topi deri më 21 janar duhet të ketë realizuar konsultimet me partitë politike dhe të ketë shpallur datën e zgjedhjeve, e cila do të jetë 21 ose 28 qershori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›