E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, në pikëpyetje zbatimi

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ligji i dosjeve, i cili hyri në fuqi vetëm dy ditë më parë, pritet tashmë të vihet në zbatim për të parë pasojat reale të tij. Por duket se vënia në zbatim e tij nuk do të jetë shumë e lehtë. Një koment i tillë bëhet nga eksponentë të mazhorancës. Burime nga shumica parlamentare pohojnë se ligji “Për pastrimin e figurës së funksionarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, i ashtuquajturi ligji i dosjeve ka një sërë problemesh për sa i përket zbatimit. Të njëjtat burime pohojnë se për momentin është Gjykata Kushtetuese ajo që ka në dorë vijimësinë e ligjit se vetëm pas vendimit të saj do të mund të ngrihet komisioni përkatës që do merret me verifikimin e figurave. Por edhe kjo do të jetë një tjetër pengesë për aktin se në përbërje të këtij Autoriteti parashikohet të jenë dy anëtarë të opozitës në një kohë që ajo e ka kundërshtuar ligjin.
Procedurat
Me hyrjen të fuqi të këtij ligji, edhe pse nuk mori firmën e Presidentit, pritet botimi në fletoren zyrtare. 15 ditë pas botimit të tij ai mund të bëhet i zbatueshëm. Megjithatë, pengesë në këtë rast duket se do të jetë Gjykata Kushtetuese. Socialistët kanë konfirmuar tashmë se do ta çojnë këtë ligj në Kushtetuese dhe do të jetë ajo që do të vendosë fatin e tij. Gjykata Kushtetuese ka dy rrugë, e para të nisë shqyrtimin e shpejtë të tij dhe ndërkohë të pezullojë zbatimin deri në marrjen e një vendimi dhe e dyta të zvarritë këtë vendim për të shqyrtuar me detaje çdo person që preket prej tij. Por edhe nëse drafti e kalon këtë pengesë një tjetër problem është ngritja e Autoritetit për Kotrollin e Figurave. Ky autoritet që votohet në Kuvend, ligjërisht duhet të ketë në përbërje 2 anëtarë nga mazhoranca 2 nga opozita dhe një kryetar që zgjidhet me konsensus. Kundërshtimet e opozitës dhe vota kundër e tyre për draftin çon qartë në përfundimin se pakica parlamentare nuk do të marrë pjesë në këtë strukturë, çka çon në një tjetër mundësi, atë të zgjedhjes së anëtarëve nga shoqëria civile. Por të gjitha këto procedura konsiderohen si shumë problematike nga vetë eksponentë të shumicës parlamentare. Madje, sipas tyre, rreziku qëndron që në momentin e parë kur ligji pritet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese. Pranohet se ky ligj shkel rreth 15 nene të Kushtetutës, çka do të krijojë vërtet problem për këtë gjykatë. Ndërkohë që një tjetër problem është fakti se çdo institucion vepron mbi një ligj të vetin ku përcaktohet dhe mënyra e shkarkimit apo emërimit të drejtuesve të tij dhe kjo vlen si për gjyqtarët, prokurorët, Avokatin e Popullit etj., pra nuk mund të bëhet shkarkimi i tyre nga një ligj i kaluar me shumicë të thjeshtë kur ndërkohë ligji për organizimin e gjyqësorit, që cakton dhe funksionimin e këtyre strukturave, ka kaluar me shumicë të cilësuar. Ekspertë të fushës sqarojnë gjithashtu se po kaq problem është zbatimi i ligjit dhe për deputetët apo kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, kjo për faktin se Kushtetuta përcakton qartë kufizimet dhe në asnjë rast nuk parashikohet ky ligj. Pra nuk mund që një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë të dalë mbi Kushtetutën. Të gjitha këto pengesa duket se do të sjellin problem konkret për zbatimin e tij në praktikë.
Ligji
Ligji i dosjeve u miratua mes debatesh në Parlament më 22 dhjetor, vetëm me votat e mazhorancës së djathtë dhe kundërshtimin e fortë të opozitës së majtë. Kjo e fundit e mbështet kontestimin e saj me argumentin se ligji "synon të mbyllë dosjet e korrupsionit qeveritar". Ligji parashikon kontrollin e çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Ligji, me 30 nene, i shtrin efektet e tij përreth 45 vjet (29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990) dhe parashikon verifikimin e figurave të funksionarëve publikë, përfshirë Presidentin e Republikës, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarë të lartë politikë e administrativë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve. Zbatimi i këtij ligji do të bëhet nga Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili do të ketë 5 anëtarë, dy përfaqësues të shumicës parlamentare dhe dy të opozitës, së bashku me kryetarin e Autoritetit, i cili do të zgjidhet me konsensus. Ligji nuk penalizon njeri, por ai vendos një masë administrative për një periudhë të kufizuar për ata që synojnë poste ose marrjen e piramidës së shtetit shqiptar.
Nga ana tjetër, ligji sanksionon të drejtën e çdo shtetasi shqiptar për t u njohur me të.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›