E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve rrëzohet në Kushtetuese, pritet zbardhja e vendimit

TIRANE- Gjykata Kushtetuese pritet të zbardhë shumë shpjet vendimin që rrëzon ligjin e shumëdebatuar për pastërtinë e figurave. Burime nga Gjykata Kushtetuese thanë për NEWS24 se vendimi është marrë 2 muaj më parë por detajet dhe argumentat pritet të jepen më vonë me zbardhjen e plotë të tij. Burime nga Kushtetuesja bëjnë të ditur se ligji i dosjeve është rrëzuar me unanimitet të plotë dhe vendimi është marrë pas mbërritjes së materialit nga Komisioni i Venecias , por ende nuk dihen argumentat dhe nenet konkrete antikushtetuese që provoi gjykata. Ndërkohë, situata e ndezur politike e muajve të fundit duket se la në hije vendimin në fjalë dhe debatet e forta që ai shkaktoi kur u miratua në Kuvend. Partia Socialiste reagoi sot për këtë cështje duke deklaruar se ky është atentati i 17 i Berishës ndaj Kushtetueses. “Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Europë. Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17-të të Sali Berishës ndaj Kushtetutës së vendit duke hedhur poshtë ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj i kundërshtuar nga Partia Socialiste por dhe nga KSHH dhe nga Këshilli i Europës. Dosjet duhet të hapen por përmes një ligji të ri, për të cilin PS është gati të japë kontributin e saj” deklaroi deputetja socialiste Shega Ligori. Ligji i dosjeve ishte ankimuar nga PS, Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve. Pas mbërritjes së përgjigjes nga Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese nisi me përkthimin në shqip për tja bashkangjitur më pas dosjes së argumentave mbi bazën e të cilave mori vendimin mbi ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në pushtetin vendor, i njohur ndryshe si ligji i spiunëve. Ligji u miratua në dhjetor të 2008 –ës , kur në sallë ishin vetëm deputetët e pozitës me 74 vota pro dhe 2 kundër duke u kthyer në një nga cështjet më të nxehta të asaj periudhe. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›