E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi i mësuesve, nis javën e ardhshme aplikimi për kualifikimin e vitit 2010

Jonida Tashi

Nis javën e ardhshme procesi i aplikimit për provimin e kualifikimit 2010, për arsimtarët në të gjithë vendin. Megjithëse një vit më parë, procesi i dorëzimit të dosjeve të aplikimit u hap që në datën 20 janar, shefja e sektorit të Trajnim-Kualifikimit në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, Teuta Çobaj, bën të ditur se procedurat e regjistrimit për provimin e kualifikimit 2010, nuk janë hapur ende, pasi pritet urdhri i Ministrisë së Arsimit për këtë çështje. “Ne jemi duke pritur urdhrin e ministrit të Arsimit, për testimin e kualifikimit për vitin 2010, i cili mund të na vij në fillim të javës që vjen. Nuk jemi vonë në këtë proces, pasi pak ditë kanë kaluar nga hapja e tij krahasuar me vitin e kaluar”,- shprehet Çobaj. Më tej, shefja e sektorit të Trajnim-Kualifikimit në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, sqaron se menjëherë pas mbërritjes së urdhrit të Ministrisë së Arsimit për testimin 2010, ky institucion do të hap procesin e dorëzimit të aplikimeve, ku për të marrë pjesë në provim, arsimtarëve u duhet që të dorëzojnë pranë drejtorive arsimore përkatëse dokumentin e quajtur Portofoli i Zhvillimit Profesional.
Portofoli
Portofoli personal i çdo mësuesi, në të cilin do të përfshihen të dhënat e tij profesionale, do të jetë një pikë kyçe në vlerësimin e punës së çdo arsimtari. Ky fakt theksohet edhe nga specialistja e Trajnim-Kualifikimit në DAR, e cila sqaron se testimi i mësuesve do të kryhet në dy faza. Specifikisht këto dy faza janë: e para është dorëzimi i portofolit nga mësuesit pranë Drejtorisë Arsimore, ndërsa e dyta është vlerësimi me shkrim. Aktualisht, para hapjes së procesit të regjistrimit, të gjithë mësuesit që do të futen në testimin e kualifikimit për vitin shkollor 2009-2010, duhet të përgatisin portofolin, i cili, sipas udhëzimit të MASH-it, duhet të përmbajë: Curriculum vitae me fotografi; planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar); objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tri nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar; modele testesh të hartuara prej tij (2-3 teste); planifikim i kurrikulës së lirë (për një lëndë të caktuar); vlerësim për punën e tij (nga vlerësues të jashtëm dhe të brendshëm). Pas depozitimit pranë drejtorisë arsimore përkatëse, portofoli i çdo mësuesi do t’i nënshtrohet një vlerësimi që do të bëhet nga specialistët e çdo drejtorie. Ndërsa mësuesit që nuk do ta dorëzojnë një portofol të tillë, nuk do të munden t’i nënshtrohen testimit. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit duhet të përgatitet nga vetë arsimtarët. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë u aplikua për herë të parë vitin e kaluar. Për kohën e dorëzimit të portofolit në drejtoritë mësuesit do të njoftohen nëpërmjet postës javore të shkollës. Gjatë kësaj periudhe mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në DAR. Këto vlerësime do të jenë pjesë e portofolit të mësuesit.
Kategoritë
Ministria e Arsimi ka përcaktuar në fillim të vitit shkollor 2009-2010, kategoritë e arsimtarëve që do t’i nënshtrohen testimit të kualifikimit për vitin 2010. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Arsimit ka kërkuar nga drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore (DAR/ZA) që të planifikojnë në punën tyre për vitin 2009-2010 kualifikimin e mësuesve 2010. Kështu, sipas kushteve të vendosura nga MASH-i, provimit të kualifikimit për vitin 2010, do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët mbushin 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtar kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

Titujt, arsimtarët që do të kualifikohen pa marrë pjesë në provim
Arsimtarët, të cilët kanë kualifikimin “Master” ose gradën “Doktor i shkencave” do të pajisen certifikatën e kualifikimit, pa qenë nevoja të marrin pjesë në provim. Kjo ishte një mënyrë e re e kualifikimit të mësuesve, që për herë të parë është zbatuar gjatë testimit të vitit 2009. Për rrjedhojë, edhe gjatë testimit 2010, kandidatët që janë trajnuar nga IKT-ja gjatë vitit 2009 në bazë të Portofolit të Zhvillimit Profesional, në formularin e aplikimit mund të paraqesin certifikatën përkatëse në vend të portofolit të sipërcituar. Zotëruesit e kësaj certifikate me kredit duhet ta paraqesin certifikatën origjinale tek specialistët dhe do të mbahet një kopje në dokumentacionin e DART-së. Kurse për tekstet e gjuhëve të huaja që nuk janë të ndara në kapituj, mësuesit që do të atestohen do të përcaktojnë objektivat e arritjeve të nxënësve (si pjesë e portofolit) në tre nivele, duke u mbështetur në një modul ose dhe orë mësimore. Duke marrë në konsideratë specifikat e arsimit parashkollor, çdo mësues kopshti do të përgatisë portofolin duke u mbështetur në udhëzimet përkatëse. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e procedurës do të jetë e njëjtë me mësuesit. Ndonëse provimi zhvillohet në mars, pas nxjerrjes së emrave të mësuesve që futen në provim, arsimtarët gjatë gjithë periudhës deri në realizimin e provimit me shkrim, do të atestohen dhe do të jenë në vëmendjen e inspektorëve të drejtorive arsimore dhe drejtorive të shkollave për të realizuar vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm.

Mësuesit e gjuhëve të huaja, trajnim më të avancuar për kualifikim

Trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve të gjuhëve të huaja krahas praktikave të hartuara nga IKT-ja dhe DAR/ZA-të, për zhvillimin e brendshëm profesional të tyre, do të mbështetet në njohjen dhe zbatimin në klasë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të referencave për Gjuhët. Për këtë, IKT-ja do të hartojë një plan kualifikimi të veçantë për trajnimin e mësuesve për njohjen dhe zbatimin në praktikë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët, dokument i cili përbën bazën kurrikulare të mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhëve të huaja, duke e koordinuar dhe me zbatimin e tij në klasë përmes Portofolit Evropian të Gjuhëve. Ky dokument duhet të njihet, të zbatohet nga mësuesit dhe të jetë pjesë e vlerësimit të tyre.

Dokumentet që duhet të përmbajë Portofoli i Zhvillimit Profesional:
Curriculum vitae (me fotografi)
Planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar)
Objektivat e arritjeve të nxënësve për kapitull, në tre nivele (për një klasë dhe në një lëndë të caktuar)
Modele testesh të hartuara prej tij
Planifikimin e kurrikulës së lirë (për një klasë dhe një lëndë të caktuar)
Vlerësimin për punën e tij (nga vlerësues të brendshëm dhe të jashtëm)

Kualifikimi 2010, mësuesit që do të përfshihen

Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e Edukimit muzikor ose të Edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune

Vjetërsia e punës në arsim për t’u kualifikuar
Provimeve të kualifikimit do t’i nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2009, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:
5 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit
10 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit
20 vjet, për shkallën e parë të kualifikimit

1 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›