Skandal në QSUT, Familjarët padisin mjekët për vdekjen e 58 vjeçares
TIRANË – Tjetër viktimë në spitalet tona për trajtim të pakujdesshëm ndaj pacientëve, dhe sërish ngrihen akuza ndaj personelit mjekësor. Një grua 58-vjeçare ka humbur jetën në urgjencën e spitalit “Nën Tereza”, pasi mjekët e rojës dyshohet se e kishin neglizhuar gjendjen e rëndë të së sëmurës dhe nuk i kishin dhënë asnjë medikament. Viktima, Drita Gixhari është shtruar në urgjencë e qendrës qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” mbrëmjen e ditës së premte për shkak të dhimbjeve të barkut, ku gjeti vdekjen pas disa orësh në mënyrë krejt të papritur.
Dyshimet
Familjarët deklaron dje se shkak i vdekjes së Drita Gixharit ka qenë pakujdesia e mjekëve, të cilët i kishin bërë vetëm dy qetësues dhe asnjë lloj mjekimi tjetër pacientes. Djali i viktimës, Bashkim Gixhari, tregon se qysh në momentin kur e ëma është shtruar në spital dhe deri rreth orës 11.00 të paradites së djeshme, kur kishin vendosur ta operonin, asaj i janë bërë vetëm dy qetësues dhe asnjë mjekim i specializuar. Sipas Gixharës, gjatë natës, mjekët e urgjencës në QSUT asnjëherë nuk kishin vajtur për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të gruas, por kishin fjetur gjumë. Skandali vazhdon më tej, kur mjekët roje i kanë garantuar djalit të pacientes së vdekur se ajo nuk kishte asgjë sepse do t’i kalonin dhimbjet dhe se gruaja mund të kthehej më pas në shtëpi. Por nuk ka kaluar shumë dhe zemra e Drita Gixharit ka pushuar së rrahuri.
Denoncimi
Ndërsa i biri i viktimës menjëherë pasi e ëma ka humbur jetën, është drejtuar komisariatit numër 4 ku ka paditur mjekët të urgjencës për neglizhencë. Në lidhje me këtë çështje pritet të nisin hetimet. Por, vetëm autopsia do të përcaktojë saktë shkakun e vdekjes së 58-vjeçares. Por, ky nuk është rasti i vetëm kur pacienti humb jetën nga pakujdesia e mjekëve. Rast tjetër ishte ai i 9-vjeçarit, Irild Çela nga Kruja, i cili humbi jetën nga pakujdesia e infermieres në dhënien e medikamenteve. Sipas të ëmës, Entela Çela, infermierja e turnit nuk i ka dhënë mjekimin e duhur të përshkruar nga mjekja specialiste, e cila e kishte edhe të shënuar në kartelë. Sipas nënës së fëmijës, infermierja, në vend të ventolinës që ishte rekomanduar, i kishte është dhënë adrenalinë, nga e cila Irildi ka pasur reaksion. Ai ka pasur fryrje në fytyrë, zmadhim të damarëve të qafës, nxjerrje të ushqimit, mavijosje të mukozave të buzëve dhe nxirje të krahëve, që sollën për pasojë edhe vdekjen e nëntëvjeçarit nga Fushë-Kruja. Entela Çelo, ndonëse ka bërë kallëzimin, ende nuk ka marrë përgjigje për ecurinë e procesit nga organi i akuzës, dhe thotë se është në pritje të procedurave hetimore.
Vlerësimi i përmbytjeve, verifikohen 531 shtëpi në Shkodër
SHKODËR – Deri më tani është bërë verifikimi i 531 objekteve të dëmtuara nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Shifrat janë dhënë nga autoritetet vendore, të cilat kanë pohuar se procesi po vazhdon me shpejtësi për të përmbyllur brenda afatit vlerësimin e gjithë dëmeve. Grupet e punës të ngritura në Këshillin e Qarkut Shkodër, prej gjashtë ditësh po punojnë në terren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në këtë qark. Sekretari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Besnik Kastrati është shprehur se deri tani janë verifikuar 531 objekte banimi, ndërsa për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë numri i tyre ka shkuar në 861. Kastrati beson se ky proces do të përfundojë brenda dy javësh. Në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi zëvendës/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, zëvendës-ministri i BUMK, Ndoc Fasllia, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, si dhe specialistë të tjerë të sektorit të ndërtimit dhe bujqësisë zhvilluan një takim në Këshillin e Qarkut të Shkodrës.
Certifikatat, cilat janë shërbimet ku duhen paraqitur
Certifikatat do të vazhdojnë të jetë pjesë e dokumentacionit për individët që duan të përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale, apo edhe pensionin e pleqërisë, të paktën edhe për disa kohë. Edhe pse vendimi i Këshillit të Ministrave ka qartësuar se që prej datës 1 janar të këtij viti, karta e identitetit do të jetë dokumenti bazë për identifikimin e shtetasve shqiptarë, certifikata duket se nuk del jashtë loje. Shumë institucione e argumentojnë kërkesën e certifikatës si domosdoshmëri, për shumë elementë që karta e identitetit nuk i ka. Punonjës të institucioneve shtetërore që kërkojnë certifikatën si dokument identifikimi shprehen se certifikata familjare nevojitet për të verifikuar, numrin e personave në familje, ose për të verifikuar gjallesën në rastin kur pensionisti nuk e merr vetë pensionin, për rastet kur kërkohet përfitimi i rimbursimit të energjisë. Kështu, të detyruar për të plotësuar dokumentacionin përkatës, shtetasit shqiptarë duhet të kenë fillimisht kartën e identitetit dhe më pas edhe certifikatën për të plotësuar të dhënat e nevojshme rreth tyre. Por megjithëse një pjesë e institucioneve shtetërore kërkojnë certifikatë për disa shërbime, qeveria ka vendosur të “ndëshkojë” të gjithë shtetasit që nuk janë pajisur me karta identiteti për të përfituar nga shërbimet publike. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, që nga 1 janari, shtetasve pa karta identiteti-letërnjoftime elektronike, nuk do t’u mundësohet pajisja me certifikata. Rrjedhimisht, shërbimet për çështje kredimarrjeje, shkollim, regjistrime të ndryshme, do të “ngecin”. Tanimë, certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Për këtë, institucionet publike dhe jo publike do të mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse.
1 Shkurt 2010