Milan huazon nga Inter Amantino Mansinin
MILANO- Amantino Mansini i është bashkuar Milanit në orët e fundit të merkatos në Serinë A italiane, duke konfirmuar se raportet mes dy klubeve të Milanos nuk janë aq të këqija sa mund të duken. Mesfushori me tipare sulmuese i Interit kishte kohë që ngrohte stolin me Zhoze Murinjon dhe klubi zikaltër kërkonte ta ndërronte me Jankulovskin, por ky i fundit nuk pranoi të lëvizte nga Milani. Mansini në këtë mënyrë ka kaluar te kuqezinjtë me formulën e huazimit, duke plotësuar kështu një dëshirë të Leonardos që të ketë një zëvendësues të Ronaldinjos. Braziliani megjithatë mund të përdoret edhe si sulmues apo gjysmësulmues, një rol që e ka bërë shpesh në të shkuarën. Ai ka dhuruar momente spektakolare kur luante me Romën, por më pas u shit tek Interi për shifrën e 13 milionë eurove, dhe në dy sezone arriti të shënonte vetëm një gol. Megjithëse nuk ka shkëlqyer me zikaltërit, Milani mendon se ka bërë një lëvizje të goditur, për më tepër që futbollistët e marrë nga kushërinjtë zikaltër gjithnjë kanë ndryshuar për mirë kur kanë veshur fanelën e këtij klubi. Pirlo, Sedorf apo edhe Mauricio Ganz, kanë ndihmuar Milanin të fitojë trofe të shumtë në Itali dhe jashtë saj. Me Mansinin, numri i brazilianëve te Milani tashmë shkon në 5. Ndërkohë, pas largimit të Mansinit, Interi ka marrë nga Parma Marigën, një talent premtues që pëlqehet nga Murinjo. Zikaltërit e kanë marrë atë në bashkëpronësi për 3 milionë euro, ndërkohë që futbollisti ishte shumë pranë një kalimi te Mançester Siti. Me marrjen e Marigës, klubi zikaltër ka hequr dorë nga Ledezma, një tratativë tepër e komplikuar për shkak të kërkesave të pafundme të presidentit të Lacios Klaudio Lotito.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)