Ligji i lustracionit, detyrim madhor moral i shoqërisë shqiptare

Mbledhja e grupit të PD-së, Kryeministri Sali Berisha u kërkon deputetëve të votojnë ligjin “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë”
TIRANE - Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë demokratike, Kryeministri Sali Berisha ka shprehur qëndrimin e tij për ligjin e lustracionit duke deklaruar se “Ky ligj, është një nga detyrimet morale më madhore të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave”. Kryeministri tha se Shqipëria është një vend i lirë, vend demokratik dhe qeveria nuk do të bëjë asnjë hap jashtë standardeve të kërkuara për këtë çështje.
“Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Evropës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le kurrkund shkas për mungesë transparence”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar dhe interesimit të madh të medias Kryeministri Berisha deklaroi se “Dua t’ju them se sot ne votojmë ligjin për lustracionin, si një nga detyrimet morale më madhore të kësaj shoqërie, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave. Kjo luftë ka bërë që në vendin tonë të vërshojnë lumenj gjaku, lotësh, dhimbjeje, vuajtjesh mbinjerëzore, plagët e së cilës duhet të mbyllen. Shoqëria ka detyrim madhor absolut të hedhë poshtë legjitimitetin e sistemit barbar”.
Kryeministri Berisha u ndal gjithashtu edhe tek përvoja e vendeve ish komuniste, duke deklaruar se “Shumica e vendeve ish komuniste e kanë bërë tashmë këtë gjë, por Shqipëria duhet të ishte e para në distancë, sepse ekzekutimet, burgjet, kampet e përqendrimit, torturat çnjerëzore, persekutimi, në Shqipëri ka qenë shumë më i madh se në të gjitha vendet ish komuniste, satelite të Rusisë të marra së bashku”.
Kryeministri i vendit, Sali Berisha iu referua për këtë çështje dhe standardeve evropiane, duke theksuar se “Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Evropës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le asnjë shkas për mungesë transparence. Edhe njëherë, dua t’ju informoj se kjo Gjykatë, tempull i drejtësisë për liritë e njeriut, nuk ka pranuar, në asnjë rast, të shqyrtojë në thelb ligjet e lustracionit, sepse i ka quajtur legjitime. Shoqëria duhet të bëjë lustracionin. Ky është morali i të drejtës, morali i shoqërisë së lire”.
Duke iu drejtuar opozitës, dhe faktit se ata flasin shpesh për mandate, Berisha u adresoi disa pyetje atyre, duke u shprehur se “A qëndron mandati mbi krimin? Cili është ai ligj i një vendi të lirë që parashikon mandatin mbi krimin? A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra dhe mijërave shqiptarëve të qëndrojnë karriget e një grushti personash që kanë gjak në duart e tyre? Siç thotë vet Gjykata, a mund të imagjinohet në një vend të lirë kjo gjë? Kurrë nuk mund të imagjinohet”, deklaroi Berisha.
Në vijim të kësaj Berisha u shpreh se “Ka një kod etik, një integritet që duhet të kesh për të mbajtur atë karrige. Këta persona, për të cilët jo pa qëllim ‘fryhet’ shifra e tyre, unë them se në drejtësi ata janë një numër fare i kufizuar. Unë nuk i bëj aspak përgjegjës ata për “malin” e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm, por këta janë të implikuar dhe kanë mbetur atëherë si simbol. Secili prej tyre ka raste të implikimit dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë të kryejnë krimet që kanë kryer, kanë pasur fatin e keq sot të gjenden simbol i krimeve të komunizmit. Nuk ka as burg, as hakmarrje. Këta janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me akte varje njerëzish, me tela me gjemba e të zvarritur në qytete. Atëherë, kush është ai që mund t’i thotë këtij kombi se t'i meriton vetëm drejtësinë që bëjnë ata? Jo zotërinj. Kjo është e pakonceptueshme”.
Berisha deklaroi se “Ne meritojmë një drejtësi të trupave gjykuese, të bazuara në integritetin e tyre të plotë moral dhe të tillë në këtë aspekt, pra, të pa implikuar, janë mbi 95 - 96 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. A mund të ketë ligj në botë që t’i përligjë karriget që të vendosen mbi malin e kockave dhe shpirtrave, vuajtjes, sakrificës, torturës?”.
Më tej Berisha deklaroi se “Ne, në këtë çështje, do të kemi për bibël vendimet, qëndrimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të Strasburgut”.
Duke iu referuar akuzave të socialistëve, Berisha deklaroi se “Shqiptarët janë dëshmitarë se, duke filluar nga Edi Rama dhe tek zëdhënësit e tij, muaj të tërë tregonin gishtin drejt ministrave, drejt deputetëve, drejt drejtuesve të PD-së, në mënyrën më amorale. Vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme për mua për të marrë vendimin. Lustracioni këtë moral ka”, tha Berisha.
Berisha sqaroi se shtyrja që i është bërë ligjit deri më tani ka qenë për faktin që për ta bërë atë bashkërisht, edhe pse në fund të fundit, këto ligje nuk janë bërë bashkërisht. Berisha theksoi se “Sot, ne përmbushim një nga detyrimet më të mëdha morale që kemi ndaj qindra e mijëra shqiptarëve. Ky ligj është një detyrim edhe ndaj diasporës, pjesa e dhimbshme e kombit, që ishin të konsideruar armiq për definicion, vetëm se jetonin në Itali, Francë, Gjermani, SHBA apo kudo ku ishin. Kjo mjafton”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se “Ne nuk e bëjmë pra, për asnjë motiv tjetër, por e bëjmë si detyrimin më themelor të shpirtit, të moralit, të ndërgjegjes individuale dhe shoqërore të këtij vendi”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.