E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini: Meta e ka kot me ftesa bashkëpunimi, Kodi Zgjedhor, çështje e mbyllur

Pas 16 ditësh, kryesocialisti Rama i ka kthyer një përgjigje negative liderit të LSI-së në lidhje me letrën e këtij të fundit për çështjen e reformës zgjedhore, çka e bën të kotë edhe përpjekjen e fundit të Metës për të angazhuar të vjetrit e selisë rozë në negociata.

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka refuzuar dje prerë mundësinë e çdo
lloj takimi me kreun e lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për të diskutuar ndryshimet e kërkuara nga ky i fundit në Kodin e ri Zgjedhor. “Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë: Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtetë të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë. Por, fatkeqësisht, u bënë kohë, që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”, iu përgjigj kreu i PS-së interesimit të medias në lidhje më këtë çështje. Ndërkaq Rama ka kritikuar kryeministrin Sali Berisha për një sjellje, sipas tij, joserioze më këtë çështje.
Duke ripërsëritur edhe njëherë apelin për sjelljen në Kuvend dhe miratimin e Kodit Zgjedhor vetëm duke ndryshuar ato nene që kërkohen nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të këtij fillim muaji, kreu i selisë rozë u shpreh se deri kur kjo të ndodhë Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë votim tjetër të parlamentit.
Në lidhje me këtë çështje, kreu i LSI, Ilir Meta gjatë një takimi të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë në minibashkinë nr. 6 në kryeqytet, theksoi se “zgjidhja e
kësaj krize të thellë politike, institucionale, kushtetuese, do të vijë nga LSI”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›