E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e ulëta, fluks fëmijësh me komplikacione

Temperaturat e ulëta, sipas shefes së Pneumologjisë, kanë sjellë fluks pacientësh. Urgjenca: Kemi 250 raste në ditë

Ulja e temperaturave në ditët e fundit, ka ndikuar negativisht mbi shëndetin e fëmijëve. Kjo vihet re tek fluksi i fëmijëve të paraqitur për ndihmë mjekësore në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”. Vetëm në Urgjencë paraqiten çdo ditë rreth 250 fëmijë për të marrë ndihmën e shpejtë. Ndërsa shefja shërbimit të Pneumoalergologjisë, Luljeta Kote, pohon se pavijoni i saj është mbushur me fëmijë që kanë komplikacione.

Komplikacionet

Temperaturë të lartë, këputje trupore dhe të vjella. Këto janë disa nga komplikacionet, me të cilat janë paraqitur fëmijët në Pediatri. Sipas shefes së Pneumologjisë, Kote, fëmijët që janë në gjendje të rëndë mbahen të shtruar në spital, ndërsa fëmijëve të tjerë u jepet ndihma shëndetësore dhe dërgohen në shtëpi. “Momentalisht, pavijoni është i mbushur me fëmijë, pra, nga 45 shtretër që është kapaciteti i pavijonit, ka 42 të shtruar. Nëse do të vazhdojë kjo situatë, do të kërkohet ndihmë e pavijoneve të tjera për t’i shtuar ose mund të kërkohet edhe ndonjë zgjidhje tjetër”,- thekson Luljeta Kote. Sipas saj, shkak për këtë situatë janë temperaturat e ulëta, pasi kanë filluar të japin efekte negative mbi shëndetin e fëmijëve. “Nuk mund të them se kemi të bëjmë me ndonjë situatë alarmante, pasi me temperatura të tilla pritej edhe fluks pacientësh. Ndërkohë, nuk mundemi as të parashikojmë se edhe për sa ditë apo javë do të vazhdojë ardhjafluksit të pacientëve”,- shpjegon Luljeta Kote. Ndërkohë, ajo shpjegon se virozat ndikojnë më shumë tek fëmijët që kanë sëmundje kronike, pasi kanë imunitet më të dobët.

Këshilla

Të ndodhur përballë fluksit të pacientëve, mjekët nuk i kanë kursyer këshillat dhe rekomandimet që duhet të ndjekin prindërit për fëmijët e tyre. “Nënat duhet të tregohen tepër të kujdesshme ndaj fëmijëve të tyre dhe t’u mbajnë nën kontroll temperaturën e lartë”,- pohon doktoreshë Luljeta Kote. Gjithashtu, mjekët këshillojnë edhe përdorimin e sa më shumë lëngjeve dhe të rrinë në ambiente sa më të përshtatshme. Virozat e stinës shpesh, sipas tyre, çojnë edhe në komplikacione, si në bronkopneumoni. Ndërkohë, mjekët këshillojnë se duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre sa më shpejt tek mjeku specialist dhe të mos marrin përsipër të bëjnë vetë mjekun, duke u dhënë medikamente pa u konsultuar me specialistët.

250 urgjenca fëmijësh paraqiten çdo ditë në QSUT për shkak të temperaturave të ulëta

42 fëmijë të shtruar ka aktualisht në shërbimin e Pneumologjisë në Pediatri

45 shtretër ka shërbimi i Pneumologjisë në Pediatrinë e Spitalit “Nënë Tereza”

17 mijë raste në javë të prekurish nga gripi u shënuan vitin e kaluar në gjithë vendin

Specialistët e ISHP-së: Antibiotikët nuk parandalojnë

Infeksionet virale përgatisin terrenin për bronkopneumoni, por realisht, mjekët nuk janë të aftë që me anën të medikamenteve të parandalojnë bronkopneumoninë. Por, pavarësisht kësaj, sëmundja varet edhe nga imuniteti i fëmijëve, që do të thotë se një fëmijë që ka virozë, mund të bëjë bronkopneumoni ose jo, kjo varet nga rezistenca e tij. “D.m.th., nuk mund të parandalohet asgjë me ilaçe dhe sidomos me antibiotikë. Shumë nëna kanë konceptin se, sa më shumë antibiotikë apo medikamente t’i japin fëmijës, aq më shumë e mbrojnë nga virozat apo gripi, por në fakt nuk është kështu, pasi këto jo vetëm që nuk e parandalojnë, por janë të dëmshme nëse përdoren pa rekomandimin e mjekut dhe pa kriter”, - pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shpjeguar se antibiotiku nuk është mjekim profilaktik për bronkopneumoni në raste kur kemi viroza, përkundrazi antibiotiku prish komplet flourën normale që kanë rrugët e frymëmarrjes. Dhënia e antibiotikëve kur fëmijët janë me probleme, nuk e parandalon bronkopneumoninë, por përkundrazi mund ta favorizojë atë. Prindërit janë të prirur të vrapojnë në farmaci pa u konsultuar me specialistët, por kjo është shumë e dëmshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›