Synet në Krishtlindje
LIBRAZHD – Emrin ia kishte vënë Mikel, si kryeengjëlli i përshkruar në Bibël. Më pas kishte vendosur që t’i bënte një tjetër “dhuratë”, në një ditë po kaq të veçantë: synet për Krishtlindje. Të qenët një familje myslimane, thjesht e ka bërë të çuditshëm këtë veprim, por që ka tjetër kuptim për personat e përfshirë në të. Selvie Vlashin, nënë të dy fëmijëve, e takojmë vetëm tri orë pasi kishte dërguar djalin e saj tek një mjek kirurg. Më pas, bashkë me të birin është kthyer në shtëpi shumë e kënaqur për këtë “shenjë”, që do t’i sjellë fat përgjatë gjithë jetës djalit të saj. Megjithëse rrjedh nga një familje myslimane, me origjinë nga Sulova e Gramshit, Selvie Vlashi ka menduar që ditën e Krishtlindjeve, djalit të saj të vogël t’i bëjë dhuratë... synetin. “Kisha kohë që mendoja ta bëja djalin synet. Por, mbasi rraha mendimet me veten time, vendosa që dita më e shënuar e tij të jetë edhe dita më e veçantë në botë: Krishtlindjet”, - thotë Selvia, ndërsa pret e përcjell miq në shtëpi. Kirurgu që e ka bërë synet djalin quhet Ilir Brushi. Selvia është e lumtur, pasi djali është mirë me shëndet. Ndërsa e pyesim se nga i lindi kjo ide për Krishtlindjen, ajo vazhdon të rrëfejë: “Unë edhe emrin ia kam vendosur të krishterë. Kështu që mendova se do të ishte më mirë që të bëhej synet në këtë ditë të veçantë, në të cilën e gjithë bota feston lindjen e Krishtit”. Por edhe vetë djaloshi duket i kënaqur. Teksa shkrepim aparatin për ta fiksuar këtë moment të jetës së tij, ai tregon se ndihet tepër i kënaqur dhe i gëzuar që mami i tij ka zgjedhur ditën kur Krishti ka lindur për ta bërë synet, gjë e rrallë kjo për një mysliman. Por jo vetëm kujtimi i një dite të tillë është qëllimi i Selvies për vendimin që ka marrë për të birin. Teksa vazhdojmë ta pyesim, ajo thotë se shpreson që kjo ditë e veçantë dhe e festuar në mbarë botën nga të gjithë, t’u sjellë fat edhe fëmijëve të tjerëve të saj. “Një tjetër arsye që zgjodha këtë ditë, është që fëmijëve të mi t’u ecë mbarë dhe djali im ta mbajë mend gjithë jetën festën e Krishtlindjeve, pasi është e vetmja ditë kur e gjithë bota mbarë feston”, - thotë Selvia. Të qenit myslimane, duket se për mamanë e Mikelit nuk përbën dhe aq problem. “Ne kemi dalë nga një diktaturë, e cila nuk lejonte lirinë e besimit, dhe e kemi vështirë të përshtatemi. Por ne, familjarisht jemi besimtarë dhe besojmë te zoti. Dhe unë jo pa qëllim zgjodha këtë ditë, sepse dua që fëmijët e mi të rriten nën bekimin e Zotit”. Dhe duket se një besim i tillë justifikon gjithçka për nënën e dy fëmijëve, dëshira e së cilës, në të gjitha veprimet e veta, është mbarësia, qoftë në emër, qoftë në synetllëk. Por, në fund të fundit, Bibla tregon se edhe vetë Krishti u bë synet nga prindërit e tij në ditën e tetë të lindjes, pavarësisht se në ditët e sotme një veprim i tillë u ka mbetur vetëm myslimanëve. Megjithatë, ajo çka është mundur të shprehet përmes veprimit të gruas myslimane është se, siç thonë shqiptarët: Të gjithë kanë një zot! A.Blloshmi
Urimi
Krishtlindjet, Papa uron në shqip
Besimtarët e krishterë në gjithë vendin festuan ditën e djeshme Krishtlindjet. Me qirinj të ndezur në duar ata janë lutur dhe kanë nisur festimet në natën e lindjes së Jezu Krishtit, për të vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Besimtarët shqiptarë janë uruar në gjuhën e tyre amtare edhe nga Papa Benedikti XVI. Ngasheshi San Pietro i Vatikanit, në prani të qindra njerëzve të pranishëm në shesh, Papa ka shqiptuar; “Gëzuar Krishtlindjet”, duke uruar fat për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë.
Në këtë ditë të shënuar të Krishtlindjeve, besimtarët kanë marrë urimet më të mira nga Presidenti i Repubikës, Bamir Topi, i cili përmes një mesazhi dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastasios Janullatos dhe Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita ka uruar besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen. “Në prag të festës së madhe të Krishtlindjes, ju uroj të gjithëve përzemërsisht ta gëzoni këtë ditë të shënuar të lindjes së shpresës e të forcimit të besimit tek zoti dhe tek mesazhet humaniste që ajo përcjell”,- thuhet në mesazhin e urimit. Në këtë ditë feste, ka kujtuar Topi, dalin në pah ndjenjat më të mira të mirësisë dhe harmonisë që karakterizojnë të gjithë shqiptarët pa dallim, duke i vënë ato në shërbim të prosperitetit të shoqërisë e të ardhmes integruese të vendit tonë. “Uroj që Krishtlindja t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. Shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë”! – përfundon mesazhi i urimit të Presidentit Topi. Mesazhe urimi kanë marrë besimtarët edhe nga Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur këtë si ditën më të mirë për të lënë mënjanë keqkuptimet. “Këto Krishtlindje i gjejnë shqiptarët më të lirë se kurrë. Sot është dita e mirëkuptimit, dhe unë bëj dhe një ftesë për mirëkuptim e tolerancë edhe për politikën”,- tha ai. Në këtë ditë të shënuar ka uruar edhe kreu i selisë rozë, Edi Rama.Nga Kisha Ortodokse Shqiptare, kreu i socialistëve u dërgoi urimin e tij në mënyrë të veçantë të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë. “Sot u uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që e kanë të pamundur të festojnë në këtë ditë të bekuar”,- tha Rama, duke uruar të rinjtë shqiptarë, fëmijë e të moshuar për realizim të shpresave të tyre.
Vëzhgim
Udhëtim në dyqanet e lodrave
Atmosferë festash. Simbolet kanë “mbirë” kudo në lokale, dyqane, dhe shtëpi. Ngjyra festive. E kuqja, simboli i dashurisë, dhe e bardha, që transmeton mesazhin e paqes. Dhuratat! Ah, këtu bëjmë mirë të ndalemi. Sa e vështirë është për të zgjedhur! Dhe sa shumë të kushtojnë! Këto ditë na duhet të krihemi ca nga xhepat. Si çdo vit. Mbase, do na bëjnë edhe ne ndonjë pako surprizë?! Ku i dihet? Nuk kënaqen të gjithë me dhuratat që bën. Me këto çmime! Kriza ekonomike duket sikur nuk ka lidhje fare me lodrat. Një arush për mbesën, 350 mijë lekë. Është të shkulësh flokët. “Material i mirë”, - reklamon shitësja. “I vetëm i këtij lloji”, - shton më pas. Arushi nuk ka as emër. Për të kënduar as që bëhet llaf. Është i madh edhe njëherë sa mbesa 8-vjeçare që la sytë pas tij. I bardhë si topi i borës. Mbesa e do dhe nuk shkulet nga dyqani. Një zonjë, sapo shikon çmimin i hedh sytë gjithë mospërfillje. “Po, unë aq nuk kam rrogën”,- thotë dhe shkul nga prapa fëmijën që fillon e ngashëren. Çmimet janë me të vërtetë të kripura. Një kukull e vogël, zbukuruese për bredhin, e kuqe, 10 mijë lekë. Një babagjysh lodër, “i florinjtë”, 50 centimetër i ka apo jo në shtat, 220 mijë. Kuptohet flasim me të vjetra, gjithmonë. Lodrat janë sipas zonës ku bën shoping. Nga Blloku te dyqanet te 21 dhjetori ka goxha ndryshime. Këtu lodra më e shtrenjtë nuk i kalon 60 mijë lekët. I njëjti arush kushton më shtrenjtë. Hajde gjeje se ku është dallimi. Të dy polarë. Të dy nuk kanë emër. Dhe po të dy nuk këndojnë. Më mirë një nga këto kukullat, 5 mijë lekë. E mirë edhe e lirë. Ja dhe shashkat. Në çdo cep shiten. Kushtojnë vetëm 50 lekë, por të bëjnë atë që s’e pret. Në Shqipëri, deri tani kanë hyrë me dhjetëra tonë shashka, që po t’i mbledhësh bashkë, janë gajret të hedhin një fabrikë në erë. Lodra janë, në fund të fundit. Në vendin tonë shiten si të tilla dhe nuk i ndalon askush.
Ka dhe fishekzjarrë 50 mijë lekë.Në një nga dyqanet e lodrave hasim Elion, djalin e një publicisti të njohur në Tiranë. E dimë që është i fiksuar pas dhuratave dhe kërkojmë ta ndjekim pas. Për nipërit dhe mbesat, 21-vjeçari është si babagjyshi i Vitit të Ri. I pëlqen shumë ideja. Elio studion në Bolonja. Prej vitesh bën dhurata në festat e fundvitit. Këtë vit ende nuk e ka bërë gati thesin me dhurata. Por listën e personave e ka gati. Janë të paktën 15 njerëz të dashur, të cilët ai ka menduar t’i gëzojë me dhurata. Në plan të parë janë si gjithmonë nipërit e tij. “Falë tyre e kam marr emrin babagjysh. Prej pesë vjetësh u bëj dhurata dhe vjet mbesa më tha: “Ti je si babagjyshi i Vitit të Ri. Troket çdo vit te dera e shtëpisë dhe na sjell dhurata”. Me entuziazmin që e karakterizon mosha, por padyshim dhe me “xhepat e mbushur”, ndihet i lumtur që të tjerët i thonë “Babagjysh”. Nuk ka ndjekur ndonjëherë politikën e të bërit pazar me dhuratat, por gjithmonë ka pritur çastin dhe ka gjetur vendin e duhur. “Të majme, çmimet këtë vit, por kur mendoj se sa shumë do të gëzohen miqtë dhe të afërmit nga dhuratat e mia, ua bëj hallall”. Ai tregon se dhuratatqë ka bërë i ka zgjedhur në varësi të personave dhe është munduar t’i përshtat me tipat e personave. “Nipërve, të mi të mrekullueshëm u kam dhuruar gjithmonë lodra. Miqve të ngushtë, shokëve një rrip pantallonash a një çakmak dhe padyshim gjëra të veçanta për persona të veçantë”, rrëfen Elio. Një ndër “të veçantat” ka qenë një varëse, e cila ndahej në dy gjysma të njëjta për dy persona dhe kishte inicialet e emrit të tij dhe ish-të dashurës. Bashkë me varësen ishte edhe një unazë, edhe kjo e ndarë në dy gjysma. Ndërsa dhurata më e shtrenjtë i ka kaluar 110 eurot. Një set kuzhine i improvizuar për mbesën e tij, për krishtlindjet e kaluara, i porositur posaçërisht në Itali, meqë këtu nuk gjendej një “kuzhinë lodër”, aq e bukur. Elio nuk është babagjyshi imagjinar i shumë fëmijëve. Është babagjyshi i familjes dhe miqve të tij. Edhe një kartolinë është një dhuratë e bukur. Nuk ka rëndësi çmimi.