E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i papërfillshëm

Ligji kundër duhanit nuk po gjen zbatim të plotë, tre muaj nga hyrja në fuqi. Lokalet e as myshterinjtë nuk e përfillin atë. Pronarët fajësojnë klientët, kurse këta të fundit fajin ua hedhin pronarëve. Inspektorët paralajmërojnë masa më të ashpra për zbatimin e këtij ligji. Nga Lirita Halili më 09 prill 2011 në ora 08:04

Ligji i duhanit nuk e pengon Astrit Bajrën që të ndezë një cigare kudo që atij i teket. Astriti pothuajse çdo ditë viziton kafiteritë e Prishtinës, tek të cilat thuhet se ka filluar aplikimi i Ligjit për duhanin. Por, ky fakt nuk e pengon atë që kafenë ta shoqërojë me një cigare, edhe në atë pjesë ku atij i ndalohet rreptësisht një gjë e tillë.

Astriti thotë se këtë nuk e bën sepse nuk dëshiron ta respektojë ligjin. Ai thotë se e konsumon duhanin vetëm aty ku e konsumojnë edhe të tjerët. “Kurrë nuk e ndez duhanin kur e shoh që në atë pjesë të kafiterisë nuk e pi askush. Por, fatkeqësisht, kudo që shkoj po pihet duhani. Pse mos ta pi edhe unë”, rrëfen Astriti për Express.

Ai nuk e fajëson as veten për këtë çështje e as klientët e tjerë në lokalet hotelerike nëpër Prishtinë. Ai fajëson pronarët e këtyre lokaleve. “Kur pronari na lejon të pimë duhan kudo që ne ulemi pa na penguar, atëherë secili do e ndez cigaren pa problem”, pohon ai.

Përveç kësaj, Astriti thotë se të pakta janë lokalet ku janë vendosur shenjat që tregojnë se në atë pjesë nuk lehjet të konsumosh cigare. “Në shumicën e vendeve nuk ka shenjë që të ndalon të tymosësh. E njëjtë sikur unë edhe të tjerët, kur nuk e shohin shenjën, atëherë kemi të drejtë të pimë duhan sa të duam”, thotë ai. “Është shumë interesant, me ligj në 70 për qind të lokalit ndalohet pirja e duhanit. E bash në atë përqindje tek ne lejohet pirja”, vlerëson Astriti.

Kështu, me gjithë hyrjen në fuqi të Ligjit kundër konsumit të duhanit nëpër vende publike, ai nuk është duke u respektuar nga duhanpirësit, por edhe vetë pronarët e kafiterive. Në shumicën e lokaleve janë vënë shenjat që tregojnë se është e ndaluar të konsumohet duhani, por kjo duket se nuk u bën përshtypje duhanpirësve. Por, ka edhe shumë lokale të tjera, në të cilat ende nuk janë vënë shenja kundër konsumit të duhanit. Përveç kësaj, gati asnjë lokal nuk e ka ndarë fizikisht 30 përqindëshin e pjesës ku lejohet konsumi i duhanit me ligj.

Ndryshe nga klientët, të cilët fajin për moszbatim të Ligjit për duhanin ua hedhin pronarëve të lokaleve, këta të fundit e bëjnë të kundërtën. Ata thonë se tymi po vazhdon akoma të jetë pengesë në kafiteritë e tyre, vetëm pse klienti nuk po e respektojnë ligjin.

Festim Grajqevci, pronar i një lokali hotelerie në Prishtinë, thotë se sado që ai mundohet ta respektojë ligjin, janë klientët ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë. “Klientët e dinë shumë që ligji ka filluar të aplikohet, por nuk i japin shumë rëndësi. E ndezin cigaren kudo që ata ulen”, pohon Festimi për Express.

Ai thotë se ka nisur ta respektojë ligjin duke e ndarë pjesën e lokalit ku konsumohet duhani. “Me anë të shenjës e kam ndarë 70 përqindëshin ku nuk pihet duhani, por askush nuk pyet. Nuk kam hesap t’i humbas myshterinjtë për shkak të kësaj”, tregon ai.

Por, hedhja e fajit prej pronarit te klienti dhe anasjelltas nuk do zgjasë edhe shumë.
Zyrtarë qeveritarë kanë paralajmëruar ndëshkime serioze për ato biznese që nuk e respektojnë ligjin.

Ilirjana Zymberaj, shefe e Inspeksionit Sanitar në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) , thotë se ende s’është shqiptuar ndonjë gjobë, por sipas saj, bizneset kanë pak kohë që të fillojnë me implementim të ligjit. “S’kemi shqiptuar gjoba sepse jemi në fazën e parë të inspektimit. Kjo fazë do të zgjasë edhe dy javë” dhe pastaj vijnë dënimet, tha ajo.

Sipas saj, deri tash inspektorët sanitarë, objekteve afariste u kanë dërguar kërkesa verbale, e nëse ato nuk përfillen, do të fillohet me gjoba. Ajo thotë se Ligji i duhanit është pritur mirë nga qytetarët. “Shumë subjekte afariste kanë bërë ndarjen që është kërkuar me ligj, ndërsa për gjendjen faktike shohim pas dy javësh kur edhe përfundon faza e parë”, shtoi ajo.

Nëse ligji nuk përfillet nga pronarët e lokaleve dhe institucionet, Zymberaj thotë se pason dënimi me të holla “që për ta është nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Për prodhuesit dhe importuesit e duhanit gjoba nis nga 5 mijë e deri në 10 mijë euro”, tha Zymberaj, sipas të cilës në tërë Kosovën janë 70 inspektorë, ndërsa në kryeqytet janë 10.

E përveç lokaleve hotelerike, vendim të prerë për zbatimin e Ligjit të duhanit kanë vendosur ta marrin edhe institucionet publike, private dhe ato të shëndetësisë. Kështu Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë nxjerrë një vendim për t’i ndëshkuar shkelësit e ligjit, konkretisht stafin mjekësor të kësaj qendre. Në atë vendim thuhet se në rast se vërehet dikush nga personeli duke konsumuar duhan, do t`i ndalet 5 për qind e pagës.

Ndryshe Ligji për Duhanin është miratuar që nga viti 2005 nga Parlamenti i Kosovës, mirëpo ai nuk ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut deri në vitin 2007. Megjithatë, zbatimi i tij në praktikë ka hasur në vështirësi dhe se për këtë janë propozuar disa ndryshime në ligj. Ndryshimi i tij u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në shkurt të vitit 2010. Ligji i ndryshuar, për duhanin, përcakton masat për kufizimin dhe ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, përbërjes së dëmshme të cigareve, vendosjen obliguese të shënimit për dëmet nga pirja e duhanit dhe mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së këtij ligji. Sipas këtij ligji, ndalohet shitja apo ofrimi i prodhimeve të duhanit nga personat më të rinj se 18 vjet. Ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike apo private, ku ofrohen shërbime shëndetësore. Ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike apo private të edukimit, arsimit dhe të mbikëqyrjes së fëmijëve dhe rinisë. Ndalohet pirja e duhanit në hapësirën publike, përveç në ato hapësira të parapara për pirje të duhanit. Sipas ligjit, hapësira e përcaktuar për duhanpirësit është 30, ndërsa pjesa tjetër prej 70 për qind e lokaleve do të jetë hapësirë ku rreptësisht ndalohet pirja e duhanit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›