E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet Pacolli

Behgjet Pacolli, brenda pak ditësh, ka shënuar rënie në karrierën politike. Nga posti i Presidentit të Republikës, të premten, u emërua zëvendës i Hashim Thaçit. Ai do të angazhohet në procesin e njohjeve dhe sjelljen e investimeve të huaja. Partia e tij, ndërkaq, pritet t’i marrë plus dy ministri dhe tre zëvendësministra. Nga Faton Ismajli më 09 prill 2011 në ora 07:57

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli është bërë pjesë e Qeverisë së Kosovës.
Atij i është dhënë kompetenca që të merret me shtimin e njohjeve dhe sjelljen e investitorëve të huaj në vend.

Kjo detyrë i është besuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, i cili e ka emëruar partnerin e tij të moçëm në postin e zëvendëskryeministrit të parë.

Më shumë se një muaj më parë, Thaçi dhe Pacolli kishin nënshkruar një marrëveshje, që këtij të fundit ia siguronte postin e Presidentit.

Kjo pjesë e marrëveshjes u zbatua, por Pacolli arriti të qëndrojë në postin më të lartë shtetërorë një kohë shumë të shkurtër.

Ai u detyrua ta lëshojë zyrën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se Pacolli ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Ish –Presidenti hoqi dorë nga ambicia për t’u kthyer në krye të shtetit, pas marrëveshjes mes tij, Hashim Thacit dhe Isa Mustafës nën ndërmjetësimin e Ambasadorit Dell.

E tani Kryeministri Thaçi është kujdesur t’i bëjë vend në Qeveri, duke e bërë zëvendës të parë.

"Behgjet Pacolli do të jetë i ngarkuar i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës, si dhe për të sjellë investime të huaja në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, të lëshuar të premtën pasdite.

Partia e Pacolli dëshiron hise më të madhe në Qeverinë e Kosovës.
Shumëkush këtë e konsideron si një pozitë të duhur për Pacollin, pasi ai edhe në të kaluarën është përfshirë në procesin e lobimit për njohje. Madje, shpesh përpjekjet e tij në këtë drejtim ishin interpretuar edhe si një garë me institucionet e vendit.

Aktualisht AKR’ja, sipas marrëveshjes të koalicionit, udhëheq tri ministri dhe ka dy zëvendëskryeministra.

Burime të Express kanë thënë se Pacollit do t’i jepen edhe dy Ministri dhe tre Zëvendësministra.

Kjo nuk është mohuar nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka premtuar se shpejt do të bëhet “balancimi” i pushtetit ndërmjet PDK’së dhe AKR’së.
Pa folur për emra, Kuçi ka thënë se kjo do të jetë pjesë e bisedimeve mes partnerëve gjatë ditëve në vijim.

“Pozita e Presidentit të Republikës që ka qenë më herët si pjesë e marrëveshjes së koalicionit, i ka takuar AKR’së, tani nuk është ajo pozitë që i takon edhe më tutje AKR’së dhe do ta bëjmë një balancim të ri që nënkupton një baraspeshë brenda për brenda Qeverisë”, ka thënë Kuçi.

Ai ka shtuar se liderët e dy partive pritet të vendosin për ndarjen e posteve qeveritare.

“Ende nuk po flasim për shkarkime apo për poste të reja, por po flasim që do të ketë biseda për një balancim të ri brenda Qeverisë së Kosovës. Është në dorën e liderëve politikë që do t’i koordinojnë ato, pastaj do të miratohen në subjektet politike”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, zyrtarët e AKR’së vetëm se kanë konfirmuar fillimin e bisedimeve për ndarjen e re të pushtetit me PDK’në.

“Është hapur paketa e diskutimit, por ende nuk është definitive”, ka thënë Ministrja nga radhët e AKR’së, Mimoza Kusari.

Bashkëpunëtori i Pacollit Ibrahim Gashi, ka thënë se gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfundojë ndarja e posteve qeveritare.

“Ka ndodhë një marrëveshje në mes të Kryeministrit dhe ish-Presidentit z. Pacolli për të marrë postin e Zëvendëskryeministrit të parë. Ndërkaq, çështje të tjera të ri-dizajnimit të koalicionit për poste të tjera ka mbetur që në ditët në vijim të qartësohet”, ka thënë Gashi.

Ish-këshilltari i parë i Pacollit si President nuk ka folur për ndarjet e posteve qeveritare e as për akomodimin e tij në ndonjë post ministror.
“Nuk mund të them në këtë moment asgjë për postet qeveritare”, ka thënë Gashi

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›