E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i për makinat, padi nga gjyqtarët në Kushtetuese

 

Aristir Lumezi

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit të qeverisë, që u heq institucioneve të pavarura makinat e shërbimit. Me një kërkesë që do të depozitohet sot në Gjykatën Kushtetuese, kërkohet shpallja si antikushtetuese të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3 dhe nenit 4 të ligjit nr. 10160 datë 15.10.2009 "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë", përsa i takon kryetarit dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit, si dhe nenin 6 të këtij ligji për institucionet e sipërpërmendur. Gjyqtarët kërkojnë pezullimin e këtij ligji deri në vendimin përfundimtar nga kjo gjykatë, pasi sipas tyre, hyrja në fuqi e tij, do të sjellë pasoja të rënda për interesat shtetërore. "Ligji nr.10160 i miratuar në 15.10.2009 hyn në fuqi më datën 20.11.2009 dhe zbatimi i menjëhershëm i tij, sjell pasoja për vetë interesat shtetërore. Kufizimi dhe heqja e tillë e përfitimeve që gëzojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe të gjykatave të tjera dhe institucioneve përkatëse të tyre, ende pa u vlerësuar paraprakisht nga pikëpamja e pajtueshmërisë me Kushtetutën, duke qenë se janë elemente thelbësore të pavarësisë së tyre në gjykimin dhe dhënien e drejtësisë, do të cenonte në mënyrë të pariparueshme raportet institucionale dhe ekuilibrat mes pushteteve, statusin, autoritetin dhe dinjitetin me të cilin Kushtetuta ka pajisur gjyqtarët për përmbushjen e detyrës për dhënien e drejtësisë", thuhet në kërkesën e unionit të Gjyqtarëve.
Papajtueshmëria
Unioni i Gjyqtarëve argumenton në kërkesën e tij se ligji i ri i qeverisë cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe kërkon shfuqizimin e tij sa i takon vetëm pjesës së trajtimit me mjete transporti të gjyqtarëve dhe jo deputetëve. Në kërkesën e tyre ata i referohen funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Si institucione kushtetuese, funksionimi i këtyre gjykatave përcaktohet në Kushtetutë dhe si i tillë kërkon rregullisht tri të pestat e votave të deputetëve të Kuvendit dhe jo një shumicë të thjeshtë ashtu siç është miratuar. Ligji nr.10160 që heq përfitimet që kanë gjyqtarët, bie ndesh me nenin 138 të Kushtetutës, ku parashikohet se "koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet, paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen". Gjithnjë në zbatim të këtij neni kushtetues, "Paga dhe përfitimet e tjera..", ka të bëjë me të gjitha ato të drejta materiale dhe jo materiale që gjyqtarët i gëzojnë në përmbushje të funksionit të tyre kushtetues, duke përfshirë këtu dhe përfitimin e shërbimit të transportit nga shteti. Heqja e këtij shërbimi sipas unionit të gjyqtarëve, cenon pavarësinë e funksionimit të këtyre funksionarëve. Sipas unionit të gjyqtarëve, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, përcaktohen vetëm në Kushtetutë. "Duke qenë se statusi i gjyqtarëve është pjesë thelbësore e garantimit kushtetues të pavarësisë institucionale të gjykatave dhe gjyqtarëve, këto të drejta, detyrime dhe mënyra se si ato fitohen, modifikohen apo hiqen janë të parashikuara ose interpretohen vetëm në përputhje me Kushtetutën ose ligjet organike mbi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe pushtetin gjyqësor në tërësi", shprehet unioni i gjyqtarëve në kërkesën e tij. Duke risjellë në vëmendje një vendim të mëparshëm të Gjykatës kushtetuese, atë të datës 24.07.2009, Unioni i Gjyqtarëve kujton se në këtë vendim thuhet se: "standardi kushtetues i paprekshmërisë së pagës së gjyqtarëve, përbën një aspekt të rëndësishëm të shprehjes së pavarësisë së gjyqësorit, që në kuptim të nenit 238 të Kushtetutës, vlerësohet nga Gjykata i detyrueshëm për t'u zbatuar vetëm ndaj gjyqtarëve që janë duke e ushtruar detyrën e tyre si të tillë".

Pretendimet e gjyqtarëve

Ligji nr. 10160 datë 15.10.2009 "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë", u miratua me shumicë të thjeshtë parlamentare 

Pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve, janë elementë kushtetues dhe kërkojnë miratim me tri të pestat e deputetëve të Kuvendit

Neni 144 i Kushtetutës përcakton: Gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë buxhetin e tyre sipas ligjit

Antikushtetues përcaktimi i numrit të makinave dhe personelit nga ana e Këshillit të Ministrave, pasi kjo rregullohet me ligj organik të gjykatave

Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese parashikon pavarësi të plotë organizative e financiare për realizimin e detyrave të caktuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›