“Mirandolina” në Teatrin e Metropolit
“E zonja e bujtinës” hap sot sezonin artistik 2009-2010 në Teatrin e Metropolit. Komedia me regji të Hervin Çulit, na kthen në shek. XVIII, por i flet edhe aktualitetit. “E Zonja e Bujtinës” është komedia më moderne e reformatorit të teatrit italian, Carlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit modern. Në një kohë, kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lartë figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Nuk ka sesi në botën shqiptare, fatkeqësisht me një kulture tejet maskiliste, kjo vepër të mos jetë një apel për emancipim. Vepra me regji të Hervin Çulit vjen nën interpretimin e aktorëve Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, Arben Spahia, Adelina Muça, Ermonela Alikaj Plasari, Genti Deçka, Fatbardha Aliçkaj (Maya). Sot në mbrëmje është menduar një premierë e veçantë për miqtë e Teatrit të Metropolit.