Pakti me Greqinë në shqyrtim me 9 gjyqtarë
Kërkesa e partive opozitare për rregullsinë e marrëveshjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shqyrtohet nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kolegji i kësaj gjykate, i përbërë nga tre anëtarë, relatorin Xhezair Zaganjori, Fehmi Abdiu dhe Sokol Berberi, pasi ia ktheu sërish partive kërkesën e tyre për plotësim dokumentacioni, nuk e mori më në shqyrtim, por ia kaloi mbledhjes së nëntë gjyqtarëve. Do të jetë kjo mbledhje, që para se të nisë shqyrtimin e kërkesës, do të gjykojë më parë për legjitimitetin e kërkesës, bazuar këtë radhë në statutet e partive që kanë drejtuar kërkesën. kërkesa pritet të shqyrtohet dhe të jepet vendim nga Gjykata Kushtetuese brenda 1 muaji, nga dita e depozitimit, 9 nëntor, për shkak se ligji organik i kësaj gjykate ka afat të përcaktuar për rastet e shqyrtimit të marrëveshjeve mes shteteve. Gjashtë parti opozitare, të majta dhe të djathta, kanë depozituar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Në kërkesën e tyre ata argumentojnë se ka mungesë të plotë transparence që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshje nga Këshilli i Ministrave.