Ligji i ri, Sefgjini ka të drejtën e përgjimit
Në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të Sigurisë kombëtare, deputetët socialistë e konsideruan nismën “tentativë e radhës për cenimin e lirive e të drejtave të njeriut”.
TIRANE-Vendimi i qeverisë për përfshirjen e Ministrisë së Financave përkrah shërbimeve informative që gëzojnë të drejtën e përgjimit, ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës. Në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të Sigurisë kombëtare, deputetët socialistë e konsideruan nismën “tentativë e radhës për cenimin e lirive e të drejtave të njeriut”. Sipas tyre qeveria po krijon struktura të fshehta kontrolli të patolerueshme në demokraci. Por zv/ministri i Financave, Florian Mima dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, të cilët mbrojtën draftin, i hodhën poshtë këto akuza. Në avokatinë e tyre për projektligjin ata pretenduan se “përgjimet do të kryhen vetëm për veprimtarinë e organeve tatimore e doganore dhe për asgjë tjetër”. I këtij mendimi nuk ishte sakaq ligjvënësi socialist, Stefan Çepa, njëherësh ish-ministër i Brendshëm. “Ndryshimi që kërkoni të bëni është i papranueshëm, pasi për të marrë një atribut të tillë strukturat tuaja të specializuara duhet të krijohen me ligj të veçantë, ashtu si janë krijuar dhe shërbimet e tjera pranë institucioneve të tjera”, - u shpreh ai. I menjëhershëm ishte reagimi i zv/ministrit të Financave, Mima, që duke replikuar me Çipën tha se “ne nuk synojmë të krijojmë asnjë strukturë përgjimi apo informimi pranë Ministrisë së Financave. Dy aktet bazë, si Kodi Doganor ashtu edhe ligji për procedurat tatimore, normojnë krijimin e strukturave operative hetimore dhe investigimin kriminal pranë administratës tatimore e doganore”. Në të njëjtën linjë argumentimi u shpreh edhe drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Sefgjini. “Procedura e përgjimit do të bëhet përsëri nga Prokuroria e Përgjithshme, ose në mungesë të saj do ta bëjë prokurori i çështjes. Pra në bazë të këtij ligji, ne thjesht marrim të drejtën që t’u kërkojmë këtyre organeve të specializuara hetimore që të përgjojnë persona të dyshuar prej nesh se kryejnë veprime të paligjshme në lidhje me doganat dhe tatimet. Ligji përcakton strukturat hetimore, kështu që nuk është e nevojshme ngritja e një strukture të veçantë me ligj”, - tha ai. Por as këto argumente nuk i bindën përfaqësuesit e opozitës. Deputeti socialist, Pirro Lutaj vuri në dukje gjatë diskutimit të tij se këto ndërhyrje të shpeshta të qeverisë në ligjin për telekomunikacionet, tregojnë tendencën në rritje të qeverisë për të krijuar organizma kontrolli të fshehta, të cilat nuk janë të përshtatshme në demokraci. “Drejtoria e antikontrabansdës dhe ajo e pastrimit të parave për të cilat do shërbejë ky ligj, nuk janë shërbime informative”, - deklaroi Lutaj.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)