E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, auditim punës të diplomatëve

25/01/2012  Ministria e Jashtme iniciatore për diskutimin e projektit me grupe interesi

Shërbimi i jashtëm, rishikim hierarkisë së gradave dhe trajtimit të ambasadorëve

Të gjithë përfaqësuesit e shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë do të kalojnë në sitën e Ministrisë së Jashtëm për vlerësimin e punës së tyre. Propozimi më i fundit i qeverisë shqiptare synon të përmirësojë ligjin aktual “Për shërbimin e jashtëm” bazuar në parimet e profesionalizmit, integritetin etiko-profesional, karrierën e qëndrueshme etj. Kjo risi dhe ndryshime të tjera janë diskutuar në tryezën e parë të organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OJF-të dhe ish-ambasadorë që merren me marrëdhëniet ndërkombëtare. “Një zhvillim i rëndësishëm që ne e kemi propozuar në ligjin e ri është inspektori i përgjithshëm. Kemi thënë se detyra e tij është shumë specifike; ajo ka të bëjë me auditimin profesional të performacës së çdo personi të shërbimit të jashtëm, që do të thotë që vlerësimi në sistemin e shërbimit të jashtëm të realizohet edhe nga një person ose disa persona të kualifikuar që dinë të bëjnë sa më mirë vlerësimin dhe përputhshmërinë e punës së një diplomati me realizimin e objektivave konkrete që ai ka në një fushë të caktuar”, - tha Haxhinasto në prezantimin e projektit. Ai tha se ndryshimet parashikojnë një dimension të rëndësishëm, që do të realizojë një kualifikim të vazhdueshëm të gjithë diplomatëve që futen në sistemin e karrierës së shërbimit me jashtë. Në mënyrë të vazhdueshme diplomatët shqiptarë do të kenë detyrimin për t’u kualifikuar në Akademinë Diplomatike, e cila do të riformatohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në akademitë e tjera të vendeve të tjera partnere, me të cilat vendi ynë ka realizuar mjaft marrëveshje bashkëpunimi dypalësh. “Mendoj se është një parim shumë i rëndësishëm, pasi duhet të heqim dorë nga koncepte të tilla se hyrja në një sistem karriere të çon domosdoshmërisht në pension, pa pasur nevojë për këtë kualifikim të vazhdueshëm, pa pasur nevojë për rritjen e cilësive profesionale dhe besoj se kjo situatë ka qenë demotivuese në të kaluarën”, - sqaroi kreu i diplomacisë shqiptare. Ai foli për sistemin e pranimit në shërbimin me jashtë, ku ftoi në konkurrim të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të angazhohen në një profesion të tillë siç është diplomacia. Haxhinasto propozoi gjithashtu që personat e ngarkuar në institucionet qendrore të Shqipërisë të jenë diplomatë të karrierës. Në fund të fjalës së tij ministri i Jashtëm foli për ndryshime ligjore, që përmirësojnë trajtimin e diplomatëve dhe të familjeve të tyre. Projektligji i ri do të konsultohet edhe me grupet e interesit.

Hierarkia e gradave

Në ligjin e vitit 2003 për shërbimin e jashtëm parashikohet rishikimi që lidhet me gradat diplomatike. Qeveria premton përmirësimin e sistemit përmes amendamenteve. “Kjo lidhet me kualifikimin e vazhdueshëm të diplomatëve, por dhe me politika të tjera të burimeve njerëzore, të cilat do të ruajnë një raport më të drejtë midis gradave më të larta të shërbimit të jashtëm, gradave të mesme dhe gradave të ulëta, duke vendosur një pozicionim të drejtë të gjithë diplomatëve me grada të caktuara në pozicione të caktuara”, - tha Haxhinasto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›