E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglishtja, kërkohet nivel më i lehtë testimi

25/01/2012  Pas studentëve edhe dekanët kërkojnë nga MASH që mbrojtja e gjuhës me TOEFL-in të bëhet me testin A1

Mijëra studentë në rrezik për mosmarrje diplomash pasi nuk kalojnë dot tetsin e TOEFL-it sipas nivelit C

Pas ankesave të bëra nga studentët, edhe drejtuesit e fakulteteve kanë kërkuar që mbrojtja e anglishtes si kusht diplomimi për studimet “master” dhe doktoraturë të bëhet nëpërmjet një niveli më të lehtë sesa ai që është përcaktuar me ndryshimet e bëra në ligjin e ri të arsimit të lartë. Prej disa javësh studentët kanë shpërthyer në protesta, pasi janë në prag të mbarimit të ciklit të studimeve “master” dhe,, në rast se nuk dëshmojnë mbrojtjen e anglishtes sipas nivelit C të TOEFL-it, nuk mund të marrin diplomën, që konfirmon mbarimin e studimeve. Kushtit, që po vë në rrezik diplomimin e të rinjve, i janë përgjigjur edhe drejtuesit e universiteteve, të cilët mendojnë t’i kërkojnë Ministrisë së Arsimit që të lehtësojë nivelin e testimit për mbrojtjen e anglishtes sipas testit ndërkombëtar të TOEFL-it, pasi është i papërballueshëm nga studentët. Rektori Dhori Kule ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se Universiteti i Tiranës është dakord me vendosjen me ligj për mbrojtjen e anglishtes me testin e TOEFL-it për nivelet “master” dhe doktoraturë, por jo që Ministria e Arsimit të caktojë nivelin, që është C-1, pra më i vështiri. Për këtë Kule u ka kërkuar drejtuesve të fakulteteve që të sjellin propozimet për nivelin e TOEFL-it dhe më pas propozimet do t’i paraqiten Ministrisë së Arsimit për të konfirmuar nëse do të mund të ndërhyhet. Mbrojtja e detyruar e anglishtes me teste ndërkombëtare është kundërshtuar edhe nga studentët, pasi niveli i kërkuar është shumë i vështirë për t’u arritur. Sipas përcaktimeve të bëra mbi llojet e testeve, studenti nëpërmjet testimit me nivelin A-1 “mund të kuptojë dhe të përdorë shprehje të përditshme dhe shprehje bazë, që synojnë plotësimin e nevojave konkrete. Mund të prezantojë veten dhe të tjerët dhe të pyesë e të përgjigjet për detaje vetjake, si: ku jeton, ku banon, njerëzit që njeh, sendet që ka etj. Mund të komunikojë në një mënyrë të thjeshtë, nëse bashkëbiseduesi flet ngadalë, qartë dhe është i gatshëm ta ndihmojë. Ndërsa në kushtin e vendosur nga Ministria e Arsimit, me ndryshimet që janë bërë në ligj saktësohet se mbrojtja e anglishtes nëpërmjet nivelit C-1 lejon edhe dhënien e diplomave për studentët që ndjekin masterat apo programet e doktoraturës. Në përshkrimin e bërë, niveli C-1 i TOFEL-it mundëson që studenti “mund të kuptojë idetë kryesore të një teksti kompleks mbi çështje konkrete dhe abstrakte, duke përfshirë diskutime teknike në fushën e tij/saj të specializimit; mund të bashkëveprojë rrjedhshëm dhe spontanisht me folës vendas pa vështirësi për të dyja palët; mund të hartojë tekst të qartë, të detajuar rreth një sërë temash, si dhe të shpjegojë pikëpamjet e tij/saj për një çështje të ditës, duke parashtruar avantazhet dhe disavantazhet për opsione të ndryshme”. Kritere këto që shihen si tepër të vështira për t’u arritur në një kohë kaq të shkurtër nga studentët. Studentët kanë paralajmëruar për një tjetër protestë, që do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, e cila në thelb ka dhe shqetësimin për mbrojtjen e anglishtes, që po vë në rrezik diplomimin e tyre në kohën e mbarimit të studimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›