E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vjet për borxhet e trashëguara nga diktatura

25/01/2012  Nga shuma 230 milionë dollarë është shlyer pjesa më e madhe, rreth 170 milionë

Drejtori i Financave, Xhentil Demiraj: Do të shlyhen deri në vitin 2015

Deri në vitin 2015 Shqipëria do të shlyejë të gjitha borxhet. Kështu është shprehur drejtori i borxhit në Ministrisë e Financave, Xhentil Demiraj në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku u miratua marrëveshja për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës së Sllovenisë. Shqipëria do ti paguajë Sllovenisë borxhin e akumuluar gjatë regjimit komunist në vlerën e 3.5 milionë dollarëve. Borxhi i trashëguar nga komunizmi ishte 657 milionë dollarë, tha ai. Pas negocimeve dhe forumeve një pjesë arriti të falej, dhe borxhi ngeli 230 milionë dollarë. Sipas tij, ka ngelur vetëm borxhi me Maqedoninë pa bërë marrëveshje dhe negocime, borxh i cili kap vlerën 1.8 milionë dollarë. Nga shuma 230 milionë dollarë është shlyer pjesa më e madhe, rreth 170 milionë. Borxhi i marrë nga qeverisja komuniste e Enver Hoxhës, në rreth 55 vjet sistem, ka vënë jo pak në vështirësi qeverisjen aktuale demokrate, e cila prej katër vitesh po negocion me disa shtete lidhur me detyrimet e prapambetura. Harta e vendeve që sistemi komunist i kohës ka patur marrëveshje shkon deri në Kubën e largët të Fidel Kastros dhe Korenë e Veriut, i vetmi shtet pothuajse i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Me të dyja këto vende, Ministria e Financave ka nisur negociatat për kushtet e pagesës së borxhit. Hapi i parë është njohja e detyrimeve nga palët dhe më pas mënyra sesi do të paguhet. Pikë e fortë diskutimi mes palëve mësohet të jetë shlyerja e detyrimeve nga interesat dhe kamatëvonesat, duke qenë se bëhet fjalë për periudha mbi 30 vjeçare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›