Ligji i ri, avantazhet e pensioneve private
Të kesh një pension privat ka më shumë avantazhe se pensioni i shtetit. Reforma përcakton se shteti do të japë vetëm një pension minimal, për të tjerat çdokush duhet të mendojë vetë. Me miratimin e këtij ligji, çdo person që s’ka pasur mundësi të ketë sigurime, mund të nisë të krijojë fondin e tij të pensionit në kompani private të licencuara për këtë punë. Avantazhi është se s’ka asnjë rregull, përveçse në fillim hap një fond në kompani. Më pas, ky fond investohet nga kompania dhe interesat e fitimeve kalojnë në fondin tuaj të pensionit. Me kalimin e viteve ju mund të hidhni përsëri para në fondin e pensionit. Avantazh është fakti se në rast se shpalleni i paaftë për shkaqe aksidentale, e merrni përnjëherësh të gjithë fondin e kursyer në privat. Në rast fatkeqësie, vdjekjeje, familja merr fondin e plotë. Më pas, fondi i pensionit mund të merret i plotë në moshën 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeçe për gratë, pra 5 vjet më herët se pensioni që jep shteti. Në nenin 85, të këtij ligji, parashikohet se kontributet e bëra nga punëdhënësi, vetë anëtari dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Kjo do të thotë se fondi i pensionit është i përjashtuar nga taksat. Një risi e këtij projektligji është edhe parashikimi në kreun e gjashtë "të agjentëve të fondit të pensionit", të cilët mund të bëjnë kontratat për hapjen e fondit. Një avantazh i dukshëm është se punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve apo duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese, për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie, që duhet të paguheshin nga anëtari. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të vlerësohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Avantazhi më i madh është se çdokush investon për veten e vet në shumën që ka mundësi për të ardhmen në pleqëri.
Avantazhet e pensionit vullnetar
1-Pensionin mund ta tërheqësh të plotë kur mund të jesh i paaftë
2-Pensioni merret 5 vjet para datës zyrtare të daljes në pension (60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë)
3-Kur mbushet mosha, pensionin mund ta marrësh të gjithin njëherësh ose në formë periodike
4-Vendos vetë sa do ta kesh pensionin, kur të vijë koha
5-Në rast vdekjeje, e gjitha shuma e pensionit u shkon trashëgimtarëve
6-Mund të biesh dakord me punëdhënësit për caktimin e një shumë çdomujore për pension privat, në rast se nuk je i siguruar
7-Ndryshe nga depozitat bankare, fondi juaj i pensionit është i përjashtuar nga taksat
8-Fondi i pensionit investohet nga kompania, duke të rritur shumën pa paguar taksa
Kush mund të ketë fond pensioni tek privati
Çdo qytetar mund të investojë në krijimin e një fondi në çfarëdo shume që ai dëshiron. Fondi i pensionit është një grup asetesh, i krijuar në bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, që zotërohet bashkërisht nga disa persona, në pronësi të ndarë dhe ku pjesët e pronësisë përfaqësohen nga kuota në fondin e pensionit. Çdo kuotë pensioni përfaqëson pronësinë e pjesës përpjesëtimore të aseteve, të cilat ndodhen në fondin e pensionit. Fondi i pensionit administrohet nga shoqëria administruese, në bazë të kontratës së fondit të pensionit me anëtarët për rritjen e aseteve për anëtarët e fondit. Kur asetet e fondit të pensionit janë të lidhura me të drejta dhe detyrime të tilla, si e drejta e votës, shoqëria administruese përfaqëson të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga këto asete, përpara palëve të treta. Shoqëria administruese, gjatë ushtrimit të së drejtës së votës apo të të drejtave të tjera, që lidhen me asetet e fondit të pensionit, udhëhiqet vetëm dhe ekskluzivisht nga interesi më i mirë i anëtarëve të fondit të pensionit.
Pensioni privat, kur mund ta tërheqësh
Anëtari i fondit të pensionit, sipas zgjedhjes, ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet ose pagesat periodike, në formë pensioni, kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, që zbatohet për atë anëtar ose 5 vjet përpara se të mbushë moshën e pensionit si dhe kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe që vërtetohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shoqëria administruese mund t'i propozojë anëtarit t'i investojë asetet e tij në produkte të tjera financiare para se të kryejë pagesën te ky anëtar, por duhet t'i shpjegojë qartë dhe me shkrim se ai ka të drejtën e pakushtëzuar për të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta në fondin e pensionit. Autoriteti nxjerr rregullore për mënyrat, kushtet dhe procedurat e pagesave të pensionit. Tërheqja e parakohshme shoqërohet me penalitete, që llogariten në raport me kohën e përmbushur nga anëtari nga çasti i kontributit të tij të parë e deri në çastin e tërheqjes së parakohshme. Autoriteti nxjerr rregullore për penalitetet e zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit. Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, sipas ligjit, asetet në llogarinë e tij do t'u shpërndahen trashëgimtarëve, në përputhje me dispozitat ligjore, që rregullojnë trashëgiminë.