Reforma, krijohet fondi privat i pensioneve
Qeveria dërgoi në Kuvend projektligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, reformë e cila njihet si shtylla e kolonës së tretë e pensioneve. Me miratimin e këtij ligji, çdo qytetar shqiptar ka të drejtën që të investojë për pensionin e tij sa të dëshirojë. Konkretisht, çdo qytetar shqiptar do të ketë të detyrueshme që të paguajë në Sigurimet Shoqërore një shumë minimale nga paga e tij, e cila përkthehet në një pension minimal, kur mbush moshën e pensionit. Por, çdo qytetar tjetër që kërkon një pension më të lartë, nuk duhet të shohë më nga shteti, por nga privati. Konkretisht, ligji në fjalë do të krijojë kompani private, ku çdo qytetar mund të ruajë një sasi të caktuar parash që njihet si fond pensioni. Fondi i tij menaxhohet nga kompania e cila i investon ato dhe fondi rritet vit pas viti në bazë të fitimeve. Kjo është e ngjashme me llogarinë bankare me afat, por ndryshimi me fondin e pensionit është se atë nuk e tërheq dot asnjëherë, me përjashtim të rasteve të veçanta.
Risia e këtij projektligji është se lehtëson barrën e shtetit si në menaxhim ashtu edhe në të ardhura dhe risia e dytë është se çdo individ kursen për pensionin e tij sa të dëshirojë vetë. Kjo reformë është e ngjashme me vendet e Bashkimit Evropian, ku shteti të siguron një pension minimal, për të jetuar, ndërsa për të pasur të ardhura më shumë në pleqëri, është në dorën e gjithsecilit për të ruajtur para.
Projektligji
Gjatë hartimit të këtij projektligji janë pasur parasysh aktet ligjore në fushën e pensioneve vullnetare të disa vendeve, si të Maqedonisë e të Rumanisë, duke u fokusuar në mënyrën e transportimit të direktivave përkatëse nga një shtet anëtar i BE-së, siç është Rumania, si dhe nga një shtet, si Maqedonia, kandidate për anëtarësim, e përfshirë në të njëjtin proces stabilizim-asociimi. Ky projektligj është produkt i bashkëpunimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me ekspertin e Bankës Botërore z. Erik T. Huitfeldt (ekspert në fushën e pensioneve) dhe asistencës së studios ligjore Kalo & Associates. Në kreun e parë përcaktohen objekti dhe qëllimi për të cilin është hartuar ky projektligj, konkretisht, vendosja e standardeve të nevojshme për administrimin me efektivitet të fondeve të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit, të nxitet qëndrueshmëria, siguria dhe mirëqeverisja e aseteve të fondit të pensionit.
Detyrimet
Marrëdhënia ndërmjet kontribuuesve dhe shoqërisë administruese të fondit të pensionit është një marrëdhënie kontraktuale, ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Pjesë e rëndësishme e këtij kreu është kontrata e fondit të pensionit, e cila lidhet ndërmjet shoqërisë administruese të fondit dhe anëtarëve, që aderojnë në fond. Kontratës së fondit i bashkëlidhet prospekti, i cili është një dokument, që përmban informacionin më të fundit për fondin e pensionit. Kontrata e fondit të pensionit dhe prospekti me informacionin e nevojshëm miratohen nga autoriteti.
Projektligji sjell një koncept të ri për kriteret që duhet të plotësojnë aksionarët dhe administratorët e shoqërive administruese, duke parashikuar se ata duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm për të marrë përsipër këto role. Ligji ka dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit për këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë administruese. Në këtë mënyrë, projektligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së këtyre personave, të cilët administrojnë kontributet për fondet e pensionit vullnetar.
Bizneset, fonde pensioni për punonjësit e tyre
Punëdhënësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij, duke lidhur një kontratë me shoqërinë administruese, që do ta ofrojë fondin e pensionit për punëmarrësit e tij. Shoqëria administruese nuk mund të jetë një palë e lidhur me punëdhënësin. Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve apo duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese, për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie, që duhet të paguheshin nga anëtari. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të vlerësohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Punëmarrësi hyn në fondin e pensionit profesional, pasi nënshkruan kontratën e fondit të pensionit profesional me shoqërinë administruese, e cila përfshin planin e pensionit profesional përkatës dhe rregullon detyrimin e punëdhënësit për të paguar kontributin. Kjo kontratë nënshkruhet nga punëdhënësi, shoqëria e administrimit dhe nga punëmarrësi. Punëdhënësi mund të kufizojë të drejtën e anëtarit për kontributet e dhëna nga punëdhënësi, duke kërkuar që punëmarrësi të jetë i punësuar te punëdhënësi për një numër të caktuar vitesh, para se t'i njihet e drejta e kontributeve të punëdhënësit, në favor të tij. Periudha përpara se punëmarrësit t'i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi, nuk mund të jetë më e gjatë se dy vjet. Kur punëdhënësi ndërpret marrëdhënien e punës me punëmarrësin, ky i fundit mund të krijojë një marrëdhënie të re me punëdhënësin e ardhshëm.
Agjentë të veçantë për të lidhur kontratën e pensionit
Një risi e këtij projektligji është edhe parashikimi në kreun e gjashtë "të agjentëve të fondit të pensionit", të cilët janë subjekte të licencuara nga autoriteti, për të lidhur kontrata të fondit të pensionit, në emër dhe për llogari të shoqërisë administruese. Këta agjentë janë përfaqësuesit ligjorë që mund të bëjnë çdo kontratë në emër të fondit tuaj të pensionit privat. Në kreun e shtatë janë parashikuar politikat e investimit, të cilat janë hartuar në përputhje me parimet e diversifikimit të riskut. Në këto dispozita rëndësi u është kushtuar investimeve të palejuara, duke shprehur, në këtë mënyrë, detyrimin e qartë të shoqërisë administruese për të mos investuar në instrumente financiare, që nuk janë të listuara ose që nuk tregtohen në bursë, në tregun ndërbankar ose në tregje të tjera të rregulluara nga autoritetet përkatëse. Në ligj parashikohen marketingu i fondit të pensionit dhe përmbajtja e materialeve me karakter publicitar. Me këto dispozita realizohet mbrojtja e konsumatorit nga dezinformimi, krijimi i përshtypjeve të gabuara ose mashtrimi për fondin e veçantë të pensionit.
Licencimi i kompanive dhe mbikëqyrja financiare
Në kreun e dhjetë të projektligjit trajtohet procesi i mbikëqyrjes së fondeve të pensioneve, proces në të cilin autoriteti ka një rol aktiv. Mbikëqyrja e fondeve do të përqendrohet në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit, në përmirësimin e mirëqeverisjes, besueshmërisë dhe të transparencës së fondit, duke u përqendruar në çështje, që paraqesin risk më të lartë. Pjesë e rëndësishme e këtij kreu është shkëmbimi i informacionit me autoritete homologe dhe ruajtja e konfidencialitetit, në respektim të jetës private të çdokujt. I gjithë ky kre është hartuar në përputhje me parimet e mbikëqyrjes së pensioneve private, sipas udhëzimeve të IOPS-së (Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrjes së Pensioneve). Në kreun e njëmbëdhjetë parashikohet e drejta e autoritetit për të vendosur, masa parandaluese dhe korrigjuese ndaj të gjithë të licencuarve. Këto dispozita rregullojnë, gjithashtu, vendosjen nën administrim të veçantë të të licencuarve, të drejtën e pezullimit të licencës ose të revokimit të licencës, likuidimin dhe falimentimin e shoqërisë administruese. Këto dispozita janë hartuar në përputhje me legjislacionin shqiptar për falimentimin. Në kreun e trembëdhjetë parashikohen lehtësitë tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuar për fondet e pensionit vullnetar. Projektligji, krahas parashikimit të të drejtave të anëtarëve, parashikon edhe lehtësitë tatimore, që u ofrohen vetë anëtarëve, si dhe individëve të tjerë, që kontribuojnë, në emër dhe për llogari të anëtarit të fondit të pensionit vullnetar.