E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton vetëvrasjen pas përdhunimit 20-vjeçarja, arrestohet autori



Ka tentuar vetëvrasjen, pasi është përdhunuar dhe rrahur brutalisht nga një 40-vjeçar. Një vajzë e re 20-vjeçare ka përjetuar momente të vështira pesë ditë më parë, kur nën kërcënimin me armë është marrë me forcë dhe më pas është futur në një lokal në zonën e Institutit Bujqësor. Pas ngjarjes, e reja u ka treguar gjithçka agjentëve të policisë, të cilët kanë kryer ditën e djeshme arrestimin e autorit të këtij krimi, Ilir Peraj, 20 vjet më i madh se viktima e tij. Atij i janë vënë prangat dhe është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Ngjarja

Të premten e kaluar, konkretisht mesditën e 18 shtatorit, e reja ishte duke shkuar për në banesë në zonën e Institutit Bujqësor. Ajo nuk e ka parë, kur pranë saj është afruar një person, i cili e ka kapur nga krahët, duke mos i dhënë mundësi të largohej. Me vete mbante një armë dhe me forcë e ka tërhequr me vete. Vajza e frikësuar është tërhequr në një lokal, në afërsi të urës së Institutit Bujqësor, tek Nish Tulla 3. Aty rrëmbyesi ka kërkuar që të kryejë marrëdhënie seksuale me 20-vjeçaren. Ajo nuk ka pranuar dhe e mbuluar nga lotët është përpjekur që të largohet. Por, ndaj saj kanë ardhur një mori grushtesh dhe goditje të tjera me dorezën e pistoletës, për ta detyruar të dorëzohej. Pasi është përdhunuar nga rrëmbyesi i saj, ky i fundit ka nisur sërish të qëllojë të renë. Ai ka nisur ta godasë atë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dëmtime serioze asaj. Sipas deklaratave të vajzës në polici, 40-vjeçari i kërkonte asaj që të mos tregonte për ngjarjen e ndodhur dhe të mos e denonconte krimin, pasi ai do ta vriste më pas. E reja është lënë e lirë dhe në një gjendje të vështirë, e dëmtuar fizikisht është larguar nga lokali.

Tentativa e vetëvrasjes

Katër ditët në vazhdim kanë qenë tepër të vështira për të. Ajo që i kishte ndodhur e kishte shokuar dhe i kishte shkaktuar një gjendje të vështirë psikologjike. Gjendja ishte rënduar dhe e reja kishte menduar si rrugëzgjidhje të vetme vetëvrasjen. Për fat, ajo arriti të shpëtonte, ndërsa veprimi i saj bëri që nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit të nisnin hetimet, të cilat zbuluan arsyet e veprimit të së resë. Vajza ka treguar gjithçka kishte ndodhur dhe menjëherë uniformat blu nisën nga puna për arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje. Në prangat e policisë ra Ilir Peraj, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Gjatë arrestimit të tij u sekuestruan një pistoletë metalike, e kalibrit 8 mm dhe një thikë metalike. 40-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e pesë veprave të ndryshme penale, “marrëdhënieve seksuale me kërcënim me përdorimin e armës”, “heqjes së paligjshme të lirisë”, “dëmtimeve të tjera me dashje”, “kanosjes” dhe “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›