E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, do ndalohen shamitë e kryqi në shkollat publike

/* */

Po kështu, të gjithë ata mësues që lejojnë përfshirjen në mitingje të nxënësve, do të largohen nga puna. Projektligji i ri i arsimit parauniversitar i ka kushtuar një nen të veçantë ndalimit të këtyre veprimtarive. Sipas tij, simbolet e feve mund të përdoren vetëm në shkolla të mirëfillta fetare. "Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake  ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare", thuhet në projektligjin e ri. Këto ndryshime pritet të ngjallin jo pak reagime nga komunitetet e ndryshme fetare. Sa i përket veprimtarive partiake, është bërë praktikë që sheshet të mbushen me nxënës shkollash sidomos gjimnazistë. Në kohë fushatash e mitingje, ndodh rëndom që procesi mësimor të anulohet dhe mësues e nxënës të vihen "në rresht" si pjesëmarrës. Gjithashtu, në projektligjin e ri është përcaktuar se veprimtaria mësimore nuk mund të ndërpritet nga asnjë person, përveçse në raste të veçanta, të përcaktuara me akte nënligjore. Organizatat e ndryshme që duan të kryejnë testime apo anketa duhet të marrin patjetër lejen e drejtuesit të shkollës. "Kërkime, si testime dhe anketime, zhvillohen në institucionin arsimor vetëm kur nuk cenohet veprimtaria mësimore e nxënësve dhe me lejen e drejtorit të institucionit. Kur përfshihen disa institucione, leja jepet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse", thuhet ne projektligj. Në të janë parashikuar për herë të parë veprimtaritë mësimore plotësuese për nxënësit që hasin vështirësi në arritjen e objektivave minimale të programit mësimor. Ndërsa për  ata që për arsye të caktuara nuk mund të ndjekin përkohësisht shkollën, krijohen kushte që mësimin ta bëjnë në shtëpi. "Nxënësit, që për shkak të rrethanave të veçanta, nuk mundet të ndjekë përkohësisht shkollën, i sigurohet nga shkolla përkatëse përkujdesje mësimore në shtëpinë e tij. Kuptimi i rrethanave të veçanta dhe procedurat e përkujdesjes përcaktohen me akte nënligjore të ministrit", thuhet në projektligj. Gjoba kush punëson fëmijë

Ligji që pritet të miratohet parashikon ndalimin e punës së fëmijëve që përfshihen në detyrimin shkollor. "Kur vërtetohen raste të punësimit të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, punëdhënësi shtetëror ose privat dënohet për kundërvajtje administrative nga inspektori i punës me gjobë 100 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 200 000 lekë", thuhet në të. Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim dhe protestë, brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit, në gjykatën e qarkut ku është kryer kundërvajtja.

 

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›