E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pengmarrja", bankieri 4 vjet në gjyqe

/* */

Kalvari i bankierit të njohur ka nisur në qershor të 2004-ës, kur pasi u pushua nga puna, nga Banka Amerikane e Shqipërisë, u akuzua për "spiunazh bankar", një vepër penale e cila nuk ekzistonte në Kodin Penal shqiptar në atë kohë. Denoncimi në prokurori u paraqit në qershor të 2004-ës, nga drejtuesi i atëhershëm i Bankës Amerikane, Lorenzo Roncari. Kallëzimi bëri bujë në atë kohë, për shkak të pretendimeve se Kadriaj kishte përvetësuar dokumente me vlera të mëdha. Në datën 7 gusht 2004, prokuroria e Tiranës filloi procedimin penal nr.2177, në ngarkim të të pandehurit Artan Kadriaj, për veprën penale të vjedhjes së pasurisë, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal, si dhe veprën penale të zhdukjes së dokumenteve, parashikuar nga neni 192/a i Kodit Penal. Ndaj bankierit u ngritën këto akuza, pasi pretendimi i theksuar në kallëzimin e Lorenzo Roncarit nuk gjendej në Kodin Penal. Pas nisjes së hetimeve, prokuroria e dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Kadriajt. Bankieri i njohur, i cili u punësua në Reiffeisen Bank, u akuzua se kishte vjedhur informacione "secrete" nga baza e të dhënave të Bankës Amerikane të Shqipërisë. Kjo akuzë, e formuluar nga Lorenzo Roncari, do ta ndiqte Artan Kadriajn për më shumë se katër vjet, derisa më 26 shtator 2007, ai mori pafajësinë përfundimtare në Gjykatën e Lartë, e cila përfundimisht rrëzoi akuzat e bëra nga Banka Amerikane e Shqipërisë, për të ashtuquajturin "spiunazh bankar". Banka Amerikane e Shqipërisë pretendoi se Artan Kadriaj, si zv.president dhe drejtor i Departamentit të Marketingut të Korporatave në këtë bankë, kishte përvetësuar në mënyrë elektronike dokumente të rëndësishme të kësaj banke. U pretendua se në bazë të këtyre dokumenteve realizohej e gjithë veprimtaria e bankës amerikane. Në padi u pretendua po kështu, se marrja e tyre ishte bërë nga Kadriaj për interesa të tijat, për ngritjen e këtij aktiviteti në bankën konkurrente, ku ai u punësua në po të njëjtat detyra, siç është Raiffeisen Bank. Pas shqyrtimit të dosjes, gjykata e Tiranës, me vendim të saj nr.555, datë 31 maj 2006, vendosi deklarimin të pafajshëm të Artan Kadriajt, duke rrëzuar padinë e Bankës Amerikane të Shqipërisë, si të pabazuar në ligj e prova. Por kjo e fundit nuk e ndaloi Lorenzo Roncarin, drejtorin e  atëhershëm të bankës, ta çonte çështjen në Apel, ku gjykata i cilësoi provat e paraqitura prej tij të paligjshme dhe në datën 27 dhjetor 2007 dha pafajësinë e dytë për Artan Kadriajn. Ky i fundit, pavarësisht se mori pafajësinë me vendim të formës së prerë, u desh të përballej me gjykatat edhe një vit tjetër, deri në shtator 2007, pasi Banka Amerikane, me drejtues Lorenzo Roncarin, e çuan çështjen në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar vjedhjen e dokumenteve, të cilat vlenin miliona euro, kur nga ana tjetër kërkonin vetëm 100 mijë lekë të reja dëmshpërblim nga Artan Kadriaj. Përmirësohet gjendja e bankierit, refuzon ilaçet

Lorenco Roncari është firmëtari i padisë penale, që u bë në prokurori në qershor 2004, ndaj bankierit Artan Kadriaj. I njëjti person në atë kohë, drejtor i Bankës Amerikane, bëri edhe paditë penale. Artan Kadriaj, pas incidentit në familjen e tij, prej dy ditësh mbahet në psikiatri, në Tiranë. Ditën e djeshme gjendja e tij ka pasur përmirësim, por mësohet se ka refuzuar të vazhdojë kurën me ilaçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›