Shpërthente vendstrehimet për t'iu marrë hekurin
Zbulohet autori i shpërthimeve që tronditi Elbasanin
Policia ka arritur të zbulojë dhe të arrestojë shtetasin që është edhe autori i disa shpërthimeve të fuqishme që tronditën të gjithë zonën e Elbasanit. Mësohet se Komisariati i Policisë Librazhd ka vënë në pranga shtetasin Ferik Kojo, 41 vjeç, me banim në fshatin Katjel të komunës Rrajcë.
Ky i fundit është arrestuar, ndërsa ishte duke shpërthyer me lëndë plasëse të përgatitura në mënyrë artizanale disa qendra zjarri, me qëllim marrjen e hekurit dhe shitjen për skrap.
Sipas të dhënave të policisë, ky shtetas është edhe autori i tronditjes së fuqishme që u ndje në të gjithë zonën e Elbasanit. Ky shtetas kishte zgjedhur vendin e quajtur Livadhet e Muços në Librazhd, ku edhe ndodhen shumë qendra zjarri.
Në kohën kur kishte kryer shpërthimet e para, policia ka arritur ta arrestojë në flagrancë. Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 kapsolla detonatore, 3.4 m fitil zjarrpërcjellës, si dhe 10 kg nitrat amoni që autori i përdorte për realizimin e shpërthimit. 41-vjeçari do të përgjigjet për veprën penale "mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake". Ndërkohë, specialistë të mjedisit po verifikojnë dëmet e shkaktuara nga shpërthimet nga kjo veprimtari e paligjshme.