E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, ndryshojnë kriteret e punësimit për të huajt

Autori i Lajmit: red.
Të huajt që banojnë në Shqipëri do të njihen me ndryshime të reja në sektorin e punësimit. Ligji i ri për të huajt kërkon që në sektorët e ekonomisë shqiptare të punësohen shtetas për të cilët ka nevoja të domosdoshme dhe vetëm përkohësisht. Drejtoresha e Politikave të Migracionit, Olijana Ifti, shpjegon se kjo do të realizohet përmes instrumenteve të gjera, të zbatueshme edhe në rrafshin evropian, që mbrojnë fuqinë dhe tregun e punës në Shqipëri. Por pavarësisht kufizimeve, ligji i ri parashikon disa të drejta shtesë për punëtorët imigrantë. Kështu, ligji parashikon të drejtën e trajtimit të barabartë me shtetasit shqiptarë lidhur me kushtet e punës, përfshirë dispozitat mbi largimin nga puna dhe shpërblimet, kushtet e higjienës së punës, të sigurimit teknik, pjesëmarrje në formimin profesional. Kjo e fundit me kusht që ata të kenë të drejtën e qëndrimit dhe të punësimit në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë se një vit. Më tej, në projektligj thuhet se të huajt kanë të drejtën e lirisë, organizimit dhe anëtarësimit në një organizatë sindikaliste apo profesionale, që përfaqëson punëtorët, të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, përfshirë edhe përfitimet që lindin nga pjesëmarrja në këto organizata, etj. Gjithashtu parashikohet mbrojtja e fuqisë dhe e tregut shqiptar të punës, bazuar në kriteret bazë të Direktivave të Komisionit Evropian si dhe respektimin e situatës aktuale dhe të pritshme të tregut vendas të punës, duke përcaktuar qartë, kriteret bazë për punësimin e shtetasve të huaj. Me kalimin e kohës së qëndrimit dhe të punësimit të ligjshëm të të huajve në Republikën e Shqipërisë parashikohet rritja e të drejtave të tyre. Me ligjin e ri thjeshtëzohen procedurat administrative të dhënies dhe të ripërtëritjes së lejeve të punës në nivel qendror dhe rajonal, duke rritur operativitetin, transparencën dhe nivelin e informimit publik për disa procedura. Lidhur me këto të fundit, ligji i ri kërkon një përcaktim më të qartë të kategorive imigratore, duke futur edhe të tilla, si “punëtor ndërkufitar” apo “të transferuarit brenda shoqërisë/ ndërmarrjes”. Më tej parashikon përfshirjen e konceptit të ri të vlefshmërise së lejes së punës “leje pune e vazhdueshme”, e cila jepet pas një leje njëvjeçare dhe dy lejeve të njëpasnjëshme dyvjeçare të punës, në rast se kushtet e punës dhe të punësimit mbeten të njëjta me ato të lejeve të mëparshme. Gjithashtu risi e këtij ligji konsiderohet dhe parashikimi i programeve të Integrimit Social të të Huajve në jetën dhe shoqërinë shqiptare.

Rishikimi i ligjit
Nisma për amendimin e Ligjit për të Huajt erdhi si rezultat logjik i zbatimit të disa angazhimeve të ndërmarra nga qeveria shqiptare në dritën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të Planit Kombëtar të Zbatimit të saj. Njëherësh, hartimi i projektligjit në fjalë ishte përgjigje edhe e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian-2007 për Shqipërinë dhe e Raportit "Të Partneritetit Evropian 2007 për Shqipërinë". Në projektligjin e paraqitur pasqyrohen dhe rekomandimet e fundit të BE-së si dhe përvoja pozitive të legjislacionit dhe praktikave administrative të disa shteteve anëtare të BE-së, si Greqia, Italia, Sllovenia, por edhe të disa shteteve si Bullgaria dhe Rumania.

Rrethet me më shumë të huaj
Zonat ku ka përqëndrime më të mëdha të të hujave në Shqipëri janë Tirana, Elbasani, Kruja, Korça dhe Gjirokastra. Punësimi i tyre përfshin punëmarrës, të vetëpunësuar, punëdhënës, të të dy gjinive, sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, si industri, shërbime. Drejtoria e Politikave të Migracionit disponon statistika të hollësishme, jo vetëm mbi shpërndarjen gjeografike të tyre, por edhe mbi prejardhjen, kohën e punësimit, natyrën e punësimit, motivet e tij, numrin e lejeve të punës të lëshuara për herë të parë, të ripërtëritura etj. Gjatë vitit të kaluar, kjo drejtori, së bashku me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, lëshoi 897 leje pune për shtetasit e huaj ku 771 janë me statusin e punëmarrësit, 89 punëdhënës dhe 37 të vetëpunësuar.

Ndryshimet e ligjit të ri
1. Parashikohet heqja e lejeve të qëndrimit 5-vjeçare.
2. Evitohen vizat 72-orëshe në kufi me përjashtim të rasteve të veçanta.
3. Rritet me dy vjet mosha e të miturve duke e çuar në 18 vjeç moshën e të huajve që duhet të pajisen me vizë.
4. Përveç përfaqësuesve të trupit diplomatik, të gjithë të huajt e tjerë do të kontrollohen dhe, në bazë të ligjit, do të jenë të detyruar të raportojnë ndryshimet e vendbanimeve dhe të aktiviteteve të tyre në Shqipëri.
5. Drafti i ri rrëzon kriteret “përdorues droge” apo “alkoolistë kronikë”, të cilëve u mohohej e drejta e vizës apo e lejeve të qëndrimit. Përjashtim bëjnë rastet kur bëhet fjalë për sëmundje të rënda ngjitëse.
6.Të gjithë personat e huaj në vendin tonë, të cilët nuk kanë lajmëruar për ndryshimet e bëra për sa u përket vendbanimeve apo punës së tyre si dhe ata të cilëve u ka skaduar afati i lejes së qëndrimit, duhet të paraqiten pranë Drejtorive Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për të komunikuar ndryshimet.
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›