E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen 2000 vende pune në Tiranë

Autori i Lajmit: red.
Mbi 2000 vende të lira pune do të promovohen javën e ardhshme për të papunët në Tiranë. Sipas burimeve nga Zyra e Punësimit, janë 70 biznese që janë ofruar për të punësuar kategoritë në nevojë. Ky proces do të konkretizohet përmes panairit "Tregu i Punës, Tiranë 2008". Ndërkohë Zyra e Punësimit në Tiranë, nga ana e saj po merret me sistemimin e 70 bizneseve, të cilat nga data 23- 24 tetor do të promovojnë në mjediset e Pallatit të Kongreseve kërkesat e tyre për punëmarrës. “Këto kompani janë nga më të suksesshmet në treg. Ofertat e punësimit që këto biznese do të prezantojnë në hollin e Pallatit të Kongreseve, në një sipërfaqe prej rreth 2200 metër katrorë, i adresohen të gjitha kategorive të të papunëve, duke nisur që nga ata me arsim të lartë, të mesëm dhe për ata punëkërkues që janë pa kualifikim”, - tha Thoma Melo, drejtor i Zyrës së Punësimit në Tiranë. Ofertat e punës, sipas tij, do të jenë të fushave të ndryshme, si në telekomunikacion, shërbimin bankar, linjave prodhuese, menaxhim, marketing, sektorin e ndërtimit, instalimeve hidraulike dhe elektrike, etj. Melo u bëri thirrje të gjithë të interesuarve, të të gjitha moshave, që të vizitojnë panairin, pasi në stendat e tij do të gjejnë oferta pune që u përshtatet aftësive të tyre profesionale. Panairet e punës vlerësohen si një nga praktikat më efikase të implementimit të politikave të punësimit, në funksion të uljes së papunësisë. Njëkohësisht, këto aktivitete promovojnë rolin e rëndësishëm të zyrave të punës në shërbim të klientëve të tyre, si të të papunëve, po ashtu edhe të punëdhënësve.

Strategjia e Ministrisë së Punës

Ulja e varfërisë, skema e re për të rritur të ardhurat

Ulja e varfërisë dhe rritja e nivelit të jetesës për çdo shtetas, veçanërisht për shtresat në nevojë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga objektivat kryesore të Qeverisë. Në funksion të përmbushjes së këtij objektivi tashmë është miratuar dokumenti bazë politik ku përfshihen politikat dhe objektivat për përmirësimin e programeve kryesore për zbutjen e varfërisë: Ndihma Ekonomike, Pagesa për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe Shërbimet e Përkujdesit Shoqëror. Strategjia Sektoriale e Mbrojtjes Sociale, miratuar në janar të këtij viti siguron një politikë të qartë për reformimin e sistemit të pagesave dhe shërbimeve shoqërore, jo vetëm për grupet në nevojë, por për të gjithë shoqërinë. “Më se një herë e kemi theksuar se qëllimi ynë nuk është të sigurojmë thjesht një “lëmoshë” për shtresat dhe kategoritë në nevojë, as thjesht dhe vetëm rritja e masës së pagesave kesh. Për këtë arsye, reformimi i skemës parashikon jo vetëm rritjen e fondeve nga buxheti i shtetit për ndihmën ekonomike, por edhe kushtëzimin e saj me punë në komunitet, pasi punësimi i të gjithë personave të aftë për punë është edhe qëllimi ynë kryesor”, theksojnë burime zyrtare nga Ministria e Punës. Sipas të njëjtave burime, reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale parashikuar nga Strategjia ka ndikuar drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë, falë edhe një identifikimi më të saktë të familjeve dhe individëve në nevojë. Niveli i varfërisë në fund të vitit 2007 vlerësohet të jetë ulur me 33% në krahasim me vitin 2002. Ritme më të shpejta të reduktimit të varfërisë janë identifikuar në tre vitet e fundit. Deri në fund të vitit 2008 synohet që popullsia nën vijën e varfërisë të arrijë në 14%, nga 16.9% në vitin 2007. Niveli i varfërisë është ulur me rreth 19% në vitin 2008. Nga buxheti i shtetit për programin e asistencës sociale në vitin 2008 u destinuan 3.5 miliardë lekë nga 2.6 miliardë që ishin një vit më parë, ose 34% më shumë fonde për mbulimin e varfërisë. Për herë të parë në 18 vitet e demokracisë, në korrik të këtij viti u indeksua pagesa e ndihmës ekonomike me 10%, që pritet të ndikojë në zbutjen e mëtejshme të varfërisë. Masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje në vitin 2008 është dyfishuar në krahasim me vitin 2006. Edhe rritja e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar (PAK) ka ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë. Vetëm në vitin 2008 me një paketë të posaçme të miratuar nga KM u mbështetën 105 mijë persona me aftësi të kufizuara me 500 milionë lekë. Pagesa e aftësisë së kufizuar arriti me 8.700 lekë në muaj ose afro sa pensioni minimal në shkallë vendi. Në vitin 2006-2007 u ngritën 47 shërbime komunitare për fëmijët, gratë, të moshuarit, personat më aftësi të kufizuara, të rinjtë etj. Numri i përfituesve direkt në këto shërbime është 25.400, nga të cilët 11.000 janë fëmijë deri 18 vjeç. Numri i përfitueve indirekt në shërbimet komunitare vlerësohet rreth 2 deri në 3 herë më i lartë. Në këto qendra përmirësohet cilësia e shërbimeve për 25.400 persona ku kostoja ditore e shërbimit për një klient vlerësohet rreth 50% më e ulët se kostoja e një klienti në shërbimet rezidenciale. Janë licencuar 102 OJF, të cilat ofrojnë shërbime sociale. Marrëdhëniet me shoqërinë civile janë institucionalizuar. Ndërkohë janë ngritur edhe 7 shtëpi të tipit “casa familja”: dy shtëpi për fëmijët 0-3 vjeç në Durrës dhe 5 shtëpi për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shkodër në kuadrin e deistitucionalizimit. Këto masa synojnë uljen reale të nivelit të varfërisë në vend dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›