Ligji i ri për mediat, KKRT: Sjell ndryshim të strategjisë
Tiranë- Kryetarja e KKRT- së, Endira Bushati ka deklaruar se ligji për mediat pritet të sjellë ndryshime të strategjisë.
Sipas saj strategjia për kalimin nga transmetimet numerike në dixhitale ka tre javë që është miratuar në Këshillin e Ministrave, dhe drafti i mediave tona është sipas standarteve evropiane.
“Ligji tashmë është në gjendje që të reflektojë edhe strategjinë, e cila ka rreth tre javë që është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo strategji ka parashikuar mënyrën se si do të bëhet kalimi në transmetimet numerike dhe kjo pjesë pritet të reflektohet edhe në ligjin e ri. Pjesë shumë e rëndësishme e ligjit të ri është çështja e përmbajtjes dhe në draftin aktual ne konstatojmë me kënaqësi që kemi një përafrim të plotë, të direktivës europiane për shërbimet audio-vizuale”, tha Bushati.
Më tej ajo tha se do ti jepet një rëndësi tepër e madhe mbrojtjes së fëmijëve nga transmetimet e dëmshme duke përdorur shenja paralajmëruese.
Ndërkohë sot Shqipëria ka marrë për të parën herë Presidencën e Autoritetit Audioviziv të Vendeve të Detit të Zi.