E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi letër Ruçit: Të takohemi nesër për presidentin

Tiranë- Kryetari i grupit paralmetar demokrat, Astrit Patozi, i ka dërguar një letër homologut të tij socialist, Gramzo Ruçi, ku i ka kërkuar një takim mbi zgjedhjen e Presidentit.

Në letrën e tij Patozi i ka kërkuar që takimi i tyre të zhvillohet që nesër, pasi PD- ja është për një president konsensual dhe gjithëpërfshirës.

Siç të gjithë e dimë, dje nisi procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës qeverisëse, e konsideron këtë si një moment solemn, jo vetëm për politikën, por për mbarë publikun shqiptar. Në filozofinë tonë, zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike.
Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë.
Duke e konsideruar zgjedhjen e Presidentit të Republikës si një çështje që u takon ta zgjidhin në radhë të parë faktorët parlamentarë, Partia Demokratike më ka mandatuar mua së bashku me zotin Edmond Spaho si negociatorë për t`u konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Për këtë qëllim, ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në ditën dhe kohën që Ju e gjykoni të përshtatshme. Në pritje të një përgjigje nga ana Juaj, gjej rastin t`Ju shpreh konsideratën time më të lartë- shkruan Patozi.

Mesaduket kjo letër e ka rrëzuar paralajmërimin e kryeministrit Berisha, i cili pas takimit me aleatët e tij u shpreh se negociatat me PS- në do të fillojnë nga dita e hënë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›