Ligji i ri, prokurorët dhe gjykatësit e diktaturës të lënë detyrën
Të gjithë prokurorët apo gjyqtarët e kohës së diktaturës, që kanë marrë pjesë në procese politike, do iu duhet të lënë detyrën me miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës”. Në të gjithë vendin më shumë se 60 për qind e prokurorëve janë në këtë detyrë që përpara vitit 1990, ndërsa kjo shifër është e përafërt edhe për gjyqtarët. Ligji i ri parashikon që të gjithë ata hetues, ndihmës-hetues, prokurorë, gjyqtarë që kanë marrë pjesë në proceset politike të largohen nga detyrat që kanë. Duket se ligji për pastërtinë e figurës do të prekë më së shumti organet e drejtësisë, të cilat kanë dhe numrin më të madh të punonjësve që nga koha e diktaturës.
Kriteret
Ndërkohë, relatori i projektligjit, Aldo Bumçi, në një prononcim për gazetën “TemA” u shpreh dje se asnjë nga prokurorët apo gjyqtarët që s’kanë marrë pjesë në këto procese, nuk do të preket nga ky ligj. Sipas tij, në këtë rast nuk ka vend për panik, pasi ligji e ka specifikuar saktë se kush janë ata persona që do të detyrohen të lenë detyrën. “Prokurorët apo gjyqtarët që kanë marrë pjesë në proceset politike dhe që kanë bërë karrierë në bazë të këtyre proceseve natyrisht do të largohen nga detyra, të tjerët nuk do preken”, - u shpreh Bumçi. Sipas tij, ky proces nuk ka aspak target politik, ashtu siç kërkohet të komentohet, por të vërë në vend një padrejtësi të shkaktuar nga regjimi i kaluar.
Administrata
Në një masë shumë më të vogël pritet që ky ligj të ketë efekt mbi administratën. Kryesisht, në këtë sektor do të hetohen ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, apo anëtarët e lartë të Byrosë Politike. Gjithsesi, hapja e dosjeve është hapi i parë drejt dënimeve të krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe mund të thuhet se Shqipëria është ndër vendet e fundit në Evropën e Lindore që s’e ka ndërmarrë këtë proces. Një projektligj i ngjashëm u hartua dhe në vitin 1995, por u revokua sërish në vitin 1997, pas ndërrimit të pushteteve, gjë që bëri që të mbajnë pozicionet e tyre të gjithë ata që i kishin shërbyer më parë regjimit të vjetër.