E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, testim për të gjithë nëpunësit aktualë që drejtojnë në administratë

Të gjithë drejtuesit e ad ministratës publike do t’i nënshtrohen një testimi brenda një viti, duke nisur nga data 1 tetor 2013. Ligji i ri për nëpunësin civil, që u miratua nga parlamenti me konsensus sanksionon se të gjithë drejtuesit aktualë duhet t’i nënshtrohet një konkursi kombëtar dhe nëse nuk emërohen në detyrë, atëherë marrëdhënia me punëdhënësin përfundon. 

“Nëpunësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione të nivelit të lartë drejtues, pjesë të shërbimit civil, sipas këtij ligji, në institucionet në varësi të kryeministrit apo një ministri, detyrohen t’u nënshtrohen procedurave të pranimit në TND (Trupa e Nivelit Drejtues), brenda një viti nga bërja efektive e këtij ligji. Në rast se këta nëpunës nuk emërohen si anëtarë të TND-së në përfundim të kësaj periudhe, marrëdhënia e tyre përfundon, për shkak të ligjit”, thuhet në dispozitën kalimtare të ligjit për nëpunësin civil. 

Ligji “Për Nëpunësin Civil” përcakton caqe të qarta të përfshirjes së punonjësve të administratës në politikën aktive. Sipas tij, zyrtarët e administratës mund të bëhen pjesë e veprimtarive politike jashtë orarit zyrtar, por gjithsesi pa shprehur publikisht bindjet e tyre, ndërkohë që u ndalohet kategorikisht anëtarësimi në ndonjë parti. “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil duhet të përmbahet nga shprehja publike e bindjeve apo preferencave të tij politike. Nëpunësit civil i ndalohet të jetë anëtar i partive politike” përcaktojnë nenet e ligjit “Për Nëpunësin Civil”. Sa për zgjedhjet parlamentare a vendore, zyrtarët do mund të kandidojnë vetëm pasi të kenë kërkuar pezullimin nga postet që mbajnë. “Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra” përcakton ligji.  

(Shkrimi i plote sot  ne Gazeta Shqiptare) 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›