Ligji, kompanitë e transportit detyrohen të sigurojnë jetën e pasagjerëve
Ervin Koçi
Shtetasit shqiptarë do të kenë mundësinë që të jenë të siguruar nga çdo lloj dëmtimi që mund t’u ndodhë kur ata udhëtojnë si pasagjerë, brenda ose jashtë vendit. Kjo është një nga kërkesat që Bashkimi Europian vendos si kusht për sistemin shqiptar të transportit dhe për kompanitë që veprojnë në këtë territor. Në këtë mënyrë, pronarët e mjeteve të transportit të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin një kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. Në projektligjin e prezantuar dje në Tiranë "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", minimumi i shumës për çdo pasagjer, për çdo rast dëmi apo humbjeje, për të cilën është lidhur një kontratë sigurimi për një mjet transporti, është: në rast vdekjeje 2 milionë lekë, ndërsa në rast të paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë. Në bazë të këtij projektligji parashikohet që kontrata të lidhet nga pronarët e autobusëve urbanë, interurbanë dhe transportit publik ndërkombëtar, duke përfshirë rastet kur merren mjete me qira. Në këtë lloj kontrate sigurimi futen edhe autobusët që transportojnë punëtorë për dhe nga qendrat e punës, autobusët e shoqërive turistike që përdoren për transportin e turistëve, si dhe taksitë dhe makinat me qira, edhe kur jepet bashkë me drejtuesin e mjetit.
Mjetet jorrugore
Sipas relacionit shoqërues të këtij projektligji, kontrata përfshin edhe të gjithë tipat e mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve si dhe mjetet lundruese pa motor. Këtu përfshihen të gjithë tipat e mjeteve, të dhëna me qira lundruese të sipërpërmendura me të paktën një anëtar ekuipazhi. Projektligji parashikon lidhjen e kontratave të sigurimit edhe për avionë të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve dhe mallrave, si dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga tipi i origjinës së fuqisë, të përdorur për transportin publik të pasagjerëve me pagesë, përfshirë këtu mjetet e transportit mbi shina dhe teleferikët. Detyrimi i një shoqërie sigurimi në kontratën e sigurimit, përfaqësohet nga shuma e siguruar e vlefshme në ditën e rastit të humbjes apo dëmtimit, nëse nuk është rënë dakord për një shumë më të madhe në kontratën e sigurimit.
Grupet e interesit
Projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është diskutuar dje dhe me grupet e interesit si përfaqësues të siguruesve, të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare etj., në një kohë që kjo e fundit do të jetë zbatuesi i draftit. Projektligji synon gjithashtu që të përmirësojë procesin e shlyerjes së dëmeve për klientët, pasi përcakton afate të qarta për kompanitë. Sipas specialistëve, hartimi i këtij projektligji është një domosdoshmëri në kushtet kur është shtuar ndjeshëm numri i kompanive private që operojnë në tregun e sigurimeve. Ligji që është aktualisht në fuqi është hartuar në vitin 1992, periudhë kur në këtë treg vepronte vetëm kompania shtetërore e sigurimeve, “INSIG”. Ndërkohë gjatë kësaj tryeze, nga ana e drejtuesve të kompanive të sigurimeve është kërkuar dhe shtimi i pagesave të detyrueshme. Por, sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, ata duhet që fillimisht të krijojnë besim te klientët. Synimi i këtij projektligji është dhe liberalizimi i tregut të sigurimeve. Në draft parashikohet që klientët, të cilët nuk kanë kryer asnjë aksident me mjetin e tyre, të paguajnë më pak dhe e kundërta do të ndodhë me ata që kanë qenë shkaktarë aksidentesh.
25 Qershor 2008