Reduktohen procedurat për licencimin e farmacive
Procedurat e hapjes së një farmacie, tani do të jenë më të thjeshtëzuara. Vendimi më i fundit i qeverisë, ka lehtësuar kryerjen e procedurave, të cilat tashmë do të kryhen në Drejtoritë Rajonale Shëndetësore dhe jo më në Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë, drejtoritë e rretheve do të jenë përgjegjëse për mënyrën e kryerjes së aktivitetit të farmacive.
Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Shëndetësisë, do të kontrolloj dhe licencojë disa aktivitetet të tjera, siç janë fabrikimi i medikamenteve, import – eksportin dhe tregtimin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope. Zyra e Shtypit pranë MSH-së, sqaron se për ushtrimin e veprimtarisë private në fushën e shëndetësisë, hiqen disa nga kërkesat, si akti pronësisë dhe kontrata e qerasë, detyrimi për anëtarësimin në shoqatat e profesionistëve, vërtetimet nga gjykata, prokuroria e përmbarimi. Ndërkohë, kërkesa për hapjen e një aktiviteti privat në fushën e shëndetësisë kthehet në një formular autodeklarimi, i cili do të konceptohet në tre pjesë. Në pjesën e parë të tij të interesuarit deklarojnë gjeneralitetet, llojin e aktivitetit që kërkojnë të ushtrojnë, adresën e ushtrimit të aktivitetit, nr. e certifikatës së regjistrimit tatimor, lejen e ushtrimit të profesionit nga urdhrat e profesionistëve. Në pjesën e dytë deklarohet zbatimi i gjithë kritereve të përcaktuara nga Ministri i Shëndetësisë për ambientin, aparaturat, pajisjet dhe në pjesën e tretë, subjekti njeh dhe zbaton aktet ligjore dhe nënligjore në fushën, ku do të kryejë aktivitet privat, si dhe mban përgjegjësi të plotë për çka ka deklaruar në këtë formular.
25 Qershor 2008