E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitjet me pakicë, shqiptarët më shumë shpenzime në 2008-n



Ervin Koçi

Kriza e rritjes se çmimeve ka dhënë efektet e para në ekonominë e vendit, ku vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2008 xhepat e shqiptarëve janë “shkundur” mirë. Sipas Institutit të Statistikave, vërehet se puna ka rënë në sektorët kyç të ekonomisë së vendit si në tregti, transport, ndërtim dhe industrinë përpunuese. Ndërtimi ka pësuar rënien më të madhe me 27,9 për qind. Rritja e çmimeve për materialet e ndërtimit ka shtrenjtuar edhe kostot e apartamenteve dhe lokaleve. Ky fakt ka sjellë një frenim të këtij sektori, duke bërë që mjaftë kompani të bllokohen ose të punojnë duke marrë borxhe nga bankat. Përsa i përket tregtisë me pakicë, rënie kanë pësuar shitjet e materialeve shtëpiake, por edhe tregtia e ushqimeve. INSTAT-i vëren se rritja e çmimit të karburanteve ka sjellë një rënie të lehtë të konsumit në përgjithësi, por kryesisht të artikujve të luksit. Rënia e shitjeve është faktori kryesor, i cili ndikon në rritjen ekonomike. Nëse kjo situatë do të vijojë me këtë ritëm sipas specialistëve, atëherë vihet në pikëpyetje objektivi i qeverisë për një rritje ekonomike prej 6 përqindësh.

Statistikat

Megjithëse një valë e re e rritjes së çmimeve për produkte të caktuara, kryesisht të artikujve ushqimorë, vihet re në tregjet e vendit, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të vitit 2008 ka pësuar rritje. Sipas INSTAT-it, indeksi arriti 160.5 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 25.2 për qind. Krahasuar me tremujorin paraardhës indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur me 4.6 për qind. “Tregtia me pakicë e karburanteve”, sipas INSTAT, për tremujorin e parë 2008 rezulton me rënie, 5.8 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës, ku muaji mars rezulton me rënie 13.4 për qind krahasuar me muajin shkurt 2007.

Shpenzimet

Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë këtë periudhë për blerje ushqimesh, librash dhe artikuj industrialë. Indeksi i volumit në grupin “Libra, gazeta, artikuj shkollorë dhe të tjera industriale në dyqane të specializuara”, gjatë këtij tremujori rritet me 40.1 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Artikuj të përzier kryesisht jo ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 35.5 për qind në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në muajin mars indeksi në këtë grup shënon rritje prej 19.4 për qind, krahasuar me muajin shkurt 2008. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i volumit të shitjeve nuk ka pësuar ndryshime, krahasuar me tremujorin paraardhës. Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave“ dhe në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e parë 2008 rezulton me rënie, 5.8 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës, ku muaji mars rezulton me rënie 13.4 për qind krahasuar me muajin shkurt 2007. Ndërsa indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e parë të këtij viti arriti 170.3 për qind kundrejt vitit bazë (2005). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është rritur 10.8 për qind.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›