Sigurimi i udhëtarëve, kusht i domosdoshëm në vendet e BE-së
Projektligji merr në konsideratë direktivat e Bashkimit Europian në fushën e sigurimeve të detyrueshme, si dhe është mbështetur në ligjet mbi sigurimet e detyrueshme në transport në Kroaci e Bullgari. Ky treg aktualisht funksionon mbi bazën e një ligji të hartuar në vitin 1992, mbi bazën e asaj përvoje e atyre kushteve që ekzistonin në atë kohë. Që nga ai vit, ashtu si në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, shoqërore e kulturore, edhe në fushën e sigurimeve të detyrueshme, kanë ndodhur zhvillime të fuqishme, çka bëjnë të domosdoshme ndërhyrjet në kuadrin ligjor rregullativ, theksojnë specialistët e këtij sektori. Vitet e fundit, investitorë të fushës së sigurimeve, si “Uniqa Group Austria”, “Vjena Insurance” dhe “Aspis Group”, janë afruar dhe janë bërë bashkë financues në kompanitë shqiptare të sigurimit. Po kështu, është në proces shitja e kuotave shtetërore të “INSIG”-ut, çka ka nxitur investitorë të tjerë që kanë shprehur interes për futjen e investimeve për sigurime në Shqipëri. Në projektligjin e ri parashikohet e drejta e përfituesve që të kërkojnë dëmshpërblimin te siguruesi i drejtpërdrejtë, si dhe parashikohet që siguruesit mund të bëjnë marrëveshje me njëri-tjetrin për trajtimin e dëmeve për përfituesit e siguruar prej tyre. Në ligjin aktual mbikëqyrja e tij ushtrohet nga ministri i Financave, kjo për faktin se në kohën e hartimit të ligjit nuk ekzistonte një Autoritet Shtetëror i Pavarur, i specializuar e ngarkuar me mbikëqyrjen e veprimtarive të sigurimit.
25 Qershor 2008