Rritja e çmimit të hidrokarbureve ul shitjen e tyre
Megjithëse sezon veror, rritja e paparë e çmimeve të karburanteve i ka detyruar frekuentuesit e përvitshëm të plazheve të lënë veturat private në oborret e lagjeve dhe t'i kthehen transportit ndërurban me autobusë dhe furgonë. Për fat të keq nuk funksionon si duhet treni, se pastaj mund të quheshin fiks pushime njësoj si në kohën e komunizmit. Sipas INSTAT-it, prej fillimit të vitit në tregjet e vendit është pakësuar ndjeshëm blerja e karburanteve, për shkak të rritjes së madhe të çmimit. Rënia më e lartë e shitjeve të karburanteve ka ndodhur edhe në periudhën maj-qershor, që ka detyruar qindra pronarë veturash private, të lënë në parkingje mjetet e tyre, duke iu kthyer mjeteve dyrrotake, motoçikletave dhe biçikletave, ku në tregjet e vendit, vihet re një bum shitjesh të tyre në këtë periudhë. Referuar burimeve të Doganave edhe importet e karburanteve kanë pësuar një ulje të lehtë prej fillimit të vitit, ku në periudhën 5-mujore u zhdoganuan rreth 147 mijë tonë karburante, nga afro 148 mijë tonë, në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Çmimi i një litër nafte "D1" në tregjet e pakicës nga 154 lekë, në muajin prill, ka arritur në ditët e fundit të qershorit në afro 160 lekë, ndërsa çmimi i benzinës ka arritur në rreth 163 lekë. Importuesit e karburanteve ia faturojnë këtë rritje bursave botërore, të cilat u tronditën ditët e fundit nga rritja e çmimit të naftës, e ndikuar më shumë nga ulja e valutës amerikane. Në tregun vendas vazhdon të përsëritet e njëjta histori, kur tregtarët e reflektojnë rritjen e çmimit të karburanteve menjëherë sapo rritet në bursat botërore çmimi i naftës dhe nuk e ulin atë kur ndodh e njëjta gjë në tregjet e huaja. Vetëm në ditët e para të këtij viti, çmimet e karburanteve në tregjet shqiptare nuk pësuan ndryshim, ku një litër naftë eurodiezel u shit me 140-145 lekë/litër, ndërsa nafta vendase me 130-135 lekë/litër.
25 Qershor 2008