E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat e karburantit për administratën, me çmime të bursës



Rregullat e prokurimit publik për blerjen e karburanteve kanë ndryshuar si efekt i rritjes së çmimit në pesë muajt e parë të vitit 2008. Kështu, në ligjin për prokurimin publik, kreu "Dokumentet e tenderit", zyrtarët e institucioneve duhet të kenë parasysh përmbajtjen e re, sipas së cilës, "Kriter vlerësimi për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje do të jetë çmimi më i ulët, bazuar në: çmimin e bursës, sipas ‘Reuters‘, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, i cili dërgohet për botim, çdo javë, në Buletinin e Njoftimeve Publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; elementet fiskale, përfshi akcizën, taksë karboni; dhe marzhin e fitimit, të shprehur në vlerë absolute dhe në përqindje". Sipas vendimit të marrë dy ditë më parë, nëse çmimi, gjatë kohës së zbatimit të kontratës për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, sipas "Reuters", ndryshon dukshëm në ulje apo ngritje, me kërkesë me shkrim të palëve dhe në varësi të çmimeve të ndryshueshme të blerjes në tregjet ndërkombëtare, kontraktori pasqyron, në faturat periodike të shitjes, çmimin e mallit, mbështetur në deklaratën doganore SAD. Institucioni që do të furnizohet me naftë, para pagimit të faturës së mallit, duhet të kontrollojë përqindjen, e rritjes apo të uljes, të çmimit të bursës, sipas agjencisë "Reuters", lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, cilësinë e mallit të lëvruar, nëse është e njëjtë me atë të premtuar në ofertë. Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, do të dërgojë çdo javë për botim, çmimin e bursës, sipas bursës të publikuar në "Reuters".

ERE, rritja e tarifave të energjisë do të aplikohet pas privatizimit

Futja në shkallë intensive e procesit të privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes në KESH, ka detyruar institucionet përgjegjëse të rishikojnë nga e para nivelin e tarifave të energjisë elektrike. Edhe pse rritja e fundit daton në mars 2008, nga KESH-i vlerësohet se niveli i tyre nuk garanton një performancë pozitive financiare, për të bërë të mundur rritjen e investimeve. Përveç kësaj, investitori strategjik ndodhet në fazën e njohjes së tarifave që aplikohen sot për konsumatorin shqiptar, në mënyrë që përllogaritja e të ardhurave të dalë sa më pozitive. Në fakt, kjo fundit nuk rezulton e tillë, e për këtë gjë, duke qenë se modeli i tregut ka ndryshuar në muajt e parë të vitit, Enti Rregullator i Energjisë, ka marrë vendimin më 6 qershor 2008, për rishikimin e tarifave. Ndryshe nga modeli i mëparshëm, duke u kushtëzuar dhe nga formula e privatizimit, tashmë ERE do të përcaktojë tarifat e energjisë elektrike që KESH do t‘ia shesë Investitorit. Vendosja e tarifave të reja do të kushtëzojë mjaft rezultatin e procesit të privatizimit të OSSH-së. Në bazë të tyre, ERE do të bëjë sërish përllogaritë se sa KESH-i do t‘ia shesë energjinë elektrike investitorit, që do të blejë OSSH-në, në shtator. Pas kësaj periudhe, KESH do të quhet ndryshe "furnizuesi publik me shumicë", ndërsa Investitori, "Furnizuesi publik me pakicë". Mësohet se KESH-i ka aplikuar në ERE për përcaktimin e tarifave të shitjes me shumicë të energjisë elektrike për 6-mujorin e dytë të vitit 2008.

Kriza e naftës, OPEK-u shmanget nga përgjegjësitë

Mbreti saudit, vendi i të cilit zotëron tregun e karburanteve, ka hedhur poshtë pretendimet se OPEK-u është fajtor për rritjen e çmimit të naftës. Sipas tij, çmimet aktuale janë më se normale në një kohë kur kemi një valutë amerikane (dollari) me vlerë të vogël. Ndër masat për përballje me rritjen e çmimit të naftës, mbreti Abdulla paralajmëroi se Arabia Saudite do ta rrisë prodhimin e naftës në 9.7 milionë fuçi në ditë, që është sasia më e madhe gjatë disa dekadave të fundit. Në hapjen e samitit global të naftës, të nisur dy ditë më parë në Xhedë, u mësua se, Banka Botërore dhe vendet donatore do të takohen dhe të debatojnë më shpesh për mekanizmat në zbatimin e propozimit të ri. Mbreti Abdullah, tha se shteti i tij është i gatshëm që të inkuadrohet në nismën me 500 milionë dollarë në formë të kredive shumë më të përshtatshme. Arabia Saudite është vendi eksportues kryesor botëror i naftës.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›